Alarm nga sëmundja shumë ngjitëse: ISHP paralajmëron prindërit, mos e vononi vaksinimin e fëmijëve!

Alarm nga sëmundja shumë ngjitëse: ISHP paralajmëron prindërit, mos e vononi vaksinimin e fëmijëve!

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në Maqedoninë e Veriut u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të mos e shtyjnë vaksinimin e fëmijëve me vaksinën MRP, e cila mbron nga fruthi, rubeola dhe shytat.

Apeli vjen pas rasteve të fruthit të regjistruara në disa vende fqinje dhe për shkak të mbulimit të pamjaftueshëm me vaksinim në vend.

Sipas ISHP-së, fruthi është një ndër sëmundjet virale më ngjitëse, që përhapet përmes ajrit gjatë frymëmarrjes, kollitjes apo teshtitjes. Virusi mund të qëndrojë në ajër deri në dy orë pasi personi i infektuar të jetë larguar nga ambienti.

Rreziku shtohet edhe nga fakti se personat e infektuar mund ta transmetojnë virusin katër ditë përpara shfaqjes së skuqjes karakteristike dhe katër ditë pas saj.

Simptomat kryesore përfshijnë temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, skuqje të syve dhe më pas puçrra që përhapen nga fytyra në pjesët e tjera të trupit.

Instituti u bën thirrje qytetarëve të kontrollojnë statusin e vaksinimit dhe të plotësojnë dozat e humbura. Veçanërisht e rëndësishme është që fëmijët t’i marrin të dyja dozat e vaksinës MRP, sipas kalendarit të imunizimit.

“Me vaksinimin në kohë mbrojmë jo vetëm fëmijët tanë, por edhe familjet dhe gjithë komunitetin”, theksojnë nga ISHP.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.