“Çka asht ky far Albini që s’po harrohet kollaj?” – Çun Lajçi “godet” opozitën

Aktori Çun Lajçi ka reaguar me një shkrim të gjatë satirik, në të cilin ironizon opozitën që vazhdon të qëndrojë pranë dyerve të pushtetit.
Duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti, Lajçi ngre pyetje mbi arsyet pse emri i tij vazhdon të përmendet dhe pse, sipas tij, disa politikanë e “patriotë” vazhdojnë të presin para institucioneve.
Në fund, aktori e mbyll shkrimin me një mesazh për kujtesën e qytetarëve: “Pushteti mundet me pasë nji derë, nji çelës e nji roje. Por populli ka veç nji gja: Kujtesën.”
Postimi i plotë:
Çka asht ky far Albini që s’po harrohet kollaj?
A din kush me m’kallxue: çka asht ky far Albini që s’po harrohet kollaj?
M’ra ndërmend Fishta: “A din kush mue me m’kallxue, pse kjo qyqja nji zog i true, si mos kurrë asht tue vajtue…” E, tue i ndigjue sorrat që po krrokisnin n’pemet e gjata para Ministrisë, m’u ba se po e dëgjoja krrokamën e atyne që kishin ardhë me pritë te dera e pushtetit.
Unë pyeta sorrat:
— A din kush me m’kallxue, çka asht ky far Albini që s’po harrohet kollaj?
Se nuk kanë të ndalun pritjet e përcjelljet. Shkallët e Kryeministrisë janë ba si Maja e Lubotenit. Secili që vjen i pari përpiqet me u ngjitë n’mâje, ndoshta me shpresën se prej aty shihet ma mirë pushteti. Por ja që kanë qëllue përtacë, e po e masin me nji shikim t’hidhur e po palohen si nuse n’divan, tue i shikue policët që ua mbyllin derën me inat.
Njana dorë u shkon te zemra: demek, ne me zemër ju duem, me zemër ju flasim, e kurrë s’e tradhtojmë atë zemër që rreh fort e fort për pushtetin që na ka ikë si zogu prej dore.
Tash mundohen me e kthye edhe njiherë, tue përdorë lëpendrat, fjalët, buzëqeshjet e premtimet mjaltore.
Po t’ishte gjallë Anton Çeta, besoj se do t’afrohej te këta njerëz, e me atë urtinë e tij, do t’u thoshte:
— O burra, as për Xhemajl Abrinë s’ka zgjatë kaq shumë kjo pamje. As për Binak Alinë s’kanë ardhë kaq heret për hatër, pa i mjelë baçica delet e pa i nisë çobani n’kullota.
— Ore, a s’po doni me pranue se ai burri që e paski dashtë kaq shumë ka vdekë e nuk çohet ma?
A po doni me e ngjallë a? Që po vini çdo mëngjes, të veshun kallamoq, e t’lyem e t’ngjyem po prisni me ardhë televizionet që t’kallxoni rrokopendla e t’i arsyetoni ato 1500 eurot që i moret.
Mendova:
Duhet me ba diçka, Dardania, për këta patriota t’paepun që me nadje shkojnë te Parlamenti e i pyesin policët:
— Si asht Albini?
— Si asht me huxhutë?
— A po e merr gjumi natën?
— A mos po e mundon lemza?
Se kurrë s’pushojnë gojët tona, tue ia përmendë emnin. Jo për keq, për mirë pasha Shën Kollin.
Bile nesër do ta çojmë edhe bedelin te Kisha e Laçit, me iu lutë Zotit që t’ia zgjasë jetën e t’na i japë edhe do 1500 euro tjera, se s’kemi ardhë kot te shkallët. Kemi ardhë me zemër. Kemi ardhë për atdhe. Kemi ardhë me u lutë që mos t’i prekin nemët tona.
Nuk po rrej. Jam ba merak se mos po bahet hymja e Qeverisë vend i shejt?
Se po shoh deputetë që kurrë s’mujtem me i çue në Mokna me protestue për Çakorrin, as te Kulla, as në Banjskë, as te Ura mbi Ibër, e tash po vijnë te shkallët e Qeverisë me nji zell që s’e kanë pasë kur duhej me u nisë për vendet ku duhej me qenë.
M’ka hy droja, mos po bahet Kryeministria vend pelegrinazhi. Shkallët mos po bahen rrugë lutjeje, policët roje të tempullit e kamerat kambana.
Unë s’kam faj që tutem, se nëse vazhdon kështu, Kryeministrit ka me i mbetë veç helikopteri me hi n’zyrë, se shkallët kanë me u mbushë me njerëz që presin me e pa.
E tash, kur po i shikoj sorrat n’pemet e gjata para Ministrisë, po pyes:
— A din kush me m’kallxue, çka asht ky far Albini që s’po harrohet kollaj?
Kryeministër n’detyrë, apo Kryeministër që po ia zgjasin mandatin tue e çue vendin në zgjedhje sa herë që kujtohen se populli ka harrue?
Se këtu edhe koha ka nisë me u sillë si politikanët: del, kthehet, premton, përcillet, harrohet e prapë del.
Ore? Çka jemi ba na, që atdheun e përmendim kur na duhen 1500 euro, e patriotizmin e masin me sa gjatë mundemi me pritë para nji dere?
Sorrat nuk m’kallxuen çka asht Albini.
Ato veç krrokisnin.
Ndoshta qyqja e Fishtës vajtonte pse s’kishte motër as vëlla, kurse sorrat tona krrokasin pse s’bie nga dritarja ndonji copë pushteti!
E unë po mendoj: ndoshta nuk asht Albini ai që duhet me na u përgjigjë.
Ndoshta jemi na që duhet me i dhanë përgjigje vetes.
Se pushteti mundet me pasë nji derë, nji çelës e nji roje.
Por populli ka veç nji gja:
Kujtesën.
04.09.2026
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



