Nga 1 tetori hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Zvicrës

Nga 1 tetori 2026 hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), përfshirë Zvicrën dhe Lihtenshtajnin, transmeton albinfo.ch.
Marrëveshja synon të lehtësojë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, të rrisë sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë për bizneset, si dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet palëve.
Sipas Këshillit Federal të Zvicrës, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, eksportet aktuale zvicerane drejt Kosovës do të përfitojnë nga heqja e tarifave doganore, ndërsa për disa produkte janë paraparë periudha kalimtare.
Marrëveshja përfshin edhe tregtinë e shërbimeve, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, standardet sanitare dhe fitosanitare, pronësinë intelektuale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Sipas të dhënave të autoriteteve zvicerane, tregtia e mallrave ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës gjatë vitit 2025 arriti në rreth 175 milionë franga zvicerane. Zvicra e konsideron Kosovën një treg me potencial për rritje të mëtejshme.
Marrëveshja është nënshkruar më 22 janar 2025 dhe më pas është miratuar nga institucionet përkatëse.
Për Kosovën, hyrja në fuqi e marrëveshjes krijon një kornizë të re për bashkëpunimin ekonomik me shtetet e EFTA-s dhe më shumë parashikueshmëri për bizneset që zhvillojnë tregti me Zvicrën dhe vendet e tjera të këtij grupimi./Albinfo.ch
The post Nga 1 tetori hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Zvicrës appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



