Ylli i Milanit në harresë! Vetëm 17 minuta këtë sezon, çfarë po ndodh me mbrojtësin e Milanit

Ylli i Milanit në harresë! Vetëm 17 minuta këtë sezon, çfarë po ndodh me mbrojtësin e Milanit

Matteo Gabbia ka kaluar nga një prej liderëve të mbrojtjes së Milanit sezonin e kaluar, në një lojtar me rol dytësor në fillim të këtij sezoni.

Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, problemet e mbrojtësit italian nisën që në mesin e verës, kur ai u përball me një inflamacion në kyçin e këmbës. Problemi ishte i bezdisshëm dhe zgjati për disa javë, duke mos qenë aq serioz sa për ta lënë jashtë me paterica, por mjaftueshëm për ta penguar të stërvitej normalisht.

Edhe pse nga ana mjekësore shqetësimi tashmë është tejkaluar, pasojat fizike kanë mbetur dhe kjo besohet të jetë një prej arsyeve pse Gabbia ka pasur shumë pak hapësirë deri tani, transmeton ORAinfo.

Vetëm 17 minuta në fushë

Shifrat e deritanishme janë domethënëse. Gabbia ka luajtur vetëm 17 minuta, në dy paraqitje si zëvendësues: 14 minuta ndaj Torinos dhe vetëm tri minuta kundër Venezias.

Ai mungoi në ndeshjen ndaj Juventusit për shkak të dhimbjeve në kyçin e këmbës, ndërsa në tri ndeshjet e tjera ka qëndruar në stol pa u aktivizuar.

Situata është befasuese, sidomos duke marrë parasysh rëndësinë që Gabbia kishte në skuadër sezonin e kaluar. Mbrojtësi italian ishte edhe zëvendëskapiten i Milanit dhe regjistroi 31 paraqitje, 29 prej tyre si titullar. Një sezon më herët, ai kishte luajtur në 35 ndeshje.

Që nga rikthimi i tij nga Villarreal, Gabbia nuk ishte përballur më parë me një situatë të tillë në Milan.

De Winter i ka zënë vendin

Ndryshimi i trajnerit dhe konkurrenca në repartin defensiv kanë ndikuar gjithashtu në statusin e tij.

Koni De Winter është aktualisht zgjedhja e parë në qendër të mbrojtjes, pasi trajneri Ruben Amorim e ka zhvendosur belgut pozicionin. Në kohën e Massimiliano Allegrit, De Winter konsiderohej një opsion për qendrën e djathtë të mbrojtjes, ndërsa tashmë shihet si një pikë qendrore për shkak të shpejtësisë së tij dhe përshtatjes me një vijë më të avancuar mbrojtëse.

Megjithatë, situata e Gabbias mund të ndryshojë së shpejti. Pjesa e dytë e tetorit pritet të sjellë një kalendar të ngjeshur me shumë ndeshje në pak ditë, çka mund t’i japë mbrojtësit italian më shumë minuta.

Gabbia mbetet një prej lojtarëve me më shumë vazhdimësi në skuadrën kuqezi dhe rikthimi i tij në formën optimale mund t’i japë Amorimit një tjetër alternativë në repartin defensiv. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.