Anita Muçolli hapi ekspozitën personale “The Blue Hour” në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA

Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA hapi më 29 korrik ekspozitën e parë personale të artistes Anita Muçolli, me titull “The Blue Hour”, një projekt artistik i kuruar nga Hana Halilaj, transmeton albinfo.ch.
Ceremonia e hapjes u mbajt në ambientet e galerisë, ndërsa paraprakisht u organizua edhe një para-premierë e veçantë për përfaqësuesit e mediave.
“The Blue Hour” ndërton një dialog mes kujtimeve të trashëguara dhe përvojës së jetuar të artistes, e cila i përket gjeneratës së dytë të diasporës shqiptare. Përmes veprave të saj, ekspozita trajton përpjekjet për ruajtjen e identitetit kulturor përballë sfidave të migrimit dhe tjetërsimit.
Hulumtimi më i fundit i artistes mbështetet në arkivat familjare, ku ndërthuren historia personale dhe ajo kolektive, duke krijuar një reflektim mbi përkatësinë dhe trashëgiminë kulturore.
Përmes këtij projekti artistik, Anita Muçolli synon të ofrojë një rrëfim mbi kujtesën dhe identitetin, duke i ftuar vizitorët të reflektojnë mbi lidhjen mes përvojave individuale dhe historive më të gjera shoqërore.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila përgëzoi artisten për këtë arritje.
“Urime Anitës për këtë arritje artistike. Ju ftoj ta vizitoni ‘The Blue Hour’ dhe ta përjetoni nga afër këtë rrëfim të veçantë”, ka shkruar Bogujevci.
Ekspozita mbetet e hapur për publikun në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me një rrëfim artistik që ndërthur kujtesën, identitetin dhe përvojën e diasporës./Albinfo.ch
The post Anita Muçolli hapi ekspozitën personale “The Blue Hour” në Galerinë Kombëtare të Kosovës QAFA appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



