Apetitit nuk po i ndalen skandalet, AUV i zbulon bakterin Salmonella në mishin e importuar nga Brazili

Mishi i pulës që ka përfunduar në tregun e Kosovës nga Brazili është vënë nën kontroll, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e bakterit të rrezikshëm Salmonella Minnesota. Për këtë arsye, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produkteve të importuara nga kompania Apetit SHPK.
Bëhet fjalë për mish të ngrirë pule, në mostrat e të cilit është identifikuar bakteri që mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të rrezikojë shëndetin e konsumatorëve.
Sipas njoftimit të AUV-së, zbulimi është bërë gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Pas rezultateve laboratorike, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të produkteve të identifikuara, vendosjen e tyre nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga pikat e shitjes.
Produktet për të cilat vlen ky vendim janë:
Coopavel – origjina Brazil, numri i aprovimit SIF 3887, LOT R-14427.
Superfrango – origjina Brazil, numri i aprovimit SIF 3404, LOT R20598.
Ky nuk është raportimi i parë që ndërlidh kompaninë “Apetit” me shqetësimet për sigurinë e mishit të importuar. Rreth një javë më parë, Sinjali raportoi se ministri Armend Muja kishte bërë të ditur në Kuvendin e Kosovës se pesë mostra të mishit të importuar kishin rezultuar me parametra shqetësues, dy prej të cilave ndërlidheshin me kompaninë “Apetit”. Në atë kohë, mostrat ishin dërguar për verifikim jashtë vendit.
Ky zhvillim erdhi në vazhdën e raportimeve për mbi 103 tonë mish viçi të ngrirë, të ndaluar nga autoritetet e Malit të Zi, të cilët kishin ngritur dyshime për afatet e përdorimit dhe parregullsi në etiketim. Në mesin e dërgesave ishte edhe një ngarkesë prej 24 tonësh, e destinuar për kompaninë “Apetit SHPK”.
Sipas autoriteteve malazeze, dyshohej se në disa dërgesa afatet origjinale të përdorimit ishin zëvendësuar me etiketa të reja. Ministri Muja kishte deklaruar se institucionet e Kosovës kishin kërkuar informacione nga autoritetet përkatëse të Malit të Zi dhe kishin urdhëruar kontroll 100 për qind të çdo dërgese të mishit që nga shtatori.
Ndërkohë, në rastin e fundit, AUV ka sqaruar se bëhet fjalë për Salmonella Minnesota, një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, i cili mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale te njerëzit.
Rreziku nuk lidhet vetëm me konsumimin e mishit të kontaminuar, por edhe me kontaminimin e kryqëzuar gjatë përgatitjes së tij, nëse bakteret kalojnë nga mishi te ushqimet e tjera përmes duarve, enëve apo sipërfaqeve të kuzhinës.
Për këtë arsye, Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë blerë produktet me numrat e identifikuar të LOT-it të mos i konsumojnë ato, por t’i kthejnë në pikat ku i kanë blerë.
Ndërkohë, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm në mostrat ku është zbuluar bakteri. AUV ka bërë të ditur se po verifikon të gjithë sasinë e importuar, për të përcaktuar se ku janë shpërndarë produktet, sa prej tyre kanë përfunduar te konsumatorët dhe sa kanë mbetur ende në treg.
Kontrollet përfshijnë edhe gjurmueshmërinë e produkteve nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare, kushtet e ruajtjes, si dhe analiza të tjera laboratorike.
Sipas AUV-së, përgjegjësia për sigurinë e produkteve, gjurmueshmërinë, tërheqjen e tyre nga tregu dhe informimin e konsumatorëve bie mbi operatorin ekonomik.
Agjencia ka bërë të ditur se do të mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave dhe, pas vlerësimit të rrezikut, do të vendosë për trajtimin përfundimtar të produkteve, përfshirë asgjësimin e tyre nëse kjo është e nevojshme.
AUV ka paralajmëruar se do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



