Ten Hag i ashpër me Ronaldon: Që nga Juventusi e tutje, karriera e tij ka marrë fund

Ten Hag i ashpër me Ronaldon: Që nga Juventusi e tutje, karriera e tij ka marrë fund

Erik ten Hag e ka bërë një deklaratë të fortë për Cristiano Ronaldon, duke pretenduar se portugezi nuk ka qenë më në gjendje të paraqitet në nivelin e tij më të lartë që nga largimi nga Real Madridi dhe transferimi te Juventusi në vitin 2018.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, i cili pati marrëdhënie të tensionuara me CR7 gjatë kohës së tyre në Old Trafford, foli për yllin portugez në një intervistë për “ESPN”.

“Pa asnjë keqkuptim, ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe njëri prej më të mirëve në histori. Por realiteti është se gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit ai nuk ka qenë më në gjendje të japë atë nivel. Që nga Juventusi, gjithçka kishte marrë fund”, deklaroi Ten Hag.

Holandezi vlerësoi edhe vendimin e Real Madridit për ta shitur Ronaldon në vitin 2018, duke thënë se klubi madrilen e di momentin e duhur për t’u ndarë nga futbollistët që po e humbin nivelin e tyre.

Ten Hag foli edhe për periudhën e përbashkët te Manchester Unitedi, duke pretenduar se Ronaldo nuk ishte më në gjendje ta shtynte veten deri në kufijtë fizikë të nevojshëm për futbollin e nivelit të lartë.

Ai theksoi se çdo yll duhet t’i shërbejë ekipit dhe se asnjë futbollist nuk është më i madh se klubi apo kombëtarja.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.