Pse bankat evropiane po e heqin arin e tyre nga SHBA-të?

Pse bankat evropiane po e heqin arin e tyre nga SHBA-të?

Fort Knox, kompleksi i fortifikuar në shtetin e Kentakit, ku ruhen rreth gjysma e rezervave të arit të qeverisë amerikane, është sinonim i sigurisë maksimale. Shprehja “si Fort Knox” përdoret për të përshkruar diçka që është jashtëzakonisht e sigurt dhe e mbrojtur mirë. Megjithatë perceptimi i Shteteve të Bashkuara si një vend i sigurt për ruajtjen e arit duket se po zbehet.

Vendimi i fundit i bankës qendrore holandeze për të zhvendosur rreth 86 tonë ar nga Nju-Jorku në Londër nxori në pah shqetësimet në rritje të disa qeverive lidhur me ruajtjen e aseteve strategjike në SHBA-të dhe nëse ato do të mund të ishin lehtësisht të aksesueshme në rast krize.

De Nederlandsche Bank (DNB) përmendi “paqëndrueshmërinë gjeopolitike” si arsye dhe tha se shpërndarja e arit në vende me juridiksione të ndryshme do të përmirësonte “gatishmërinë për kriza”.
Edhe Franca hoqi të gjithë arin e saj që kishte mbetur në Rezervën Federale të Nju-Jorkut midis korrikut 2025 dhe janarit 2026. Megjithatë guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau, deklaroi në atë kohë se vendimi nuk kishte motive politike.

Ndërkohë, disa politikanë në Gjermani dhe Itali, vende që zotërojnë respektivisht rezervat e dyta dhe të treta më të mëdha të arit në botë, kanë kërkuar që edhe ari i vendeve të tyre të tërhiqet nga SHBA-të. Këto thirrje vijnë mes shqetësimeve për politikën e paparashikueshme të administratës Trump dhe qëndrimit gjithnjë e më kritik të saj ndaj Bashkimit Evropian, përfshirë kërcënimet për të aneksuar një pjesë të territorit të tij në Grenlandë.
Etja për ar

Sebastien Tillett, analist në Oxford Economics, thotë se për bankat qendrore evropiane, sekuestrimi i drejtpërdrejtë i aseteve të tyre përbën një “rrezik jashtëzakonisht të vogël”. Megjithatë, sipas tij, po shtohen shqetësimet për mundësinë e qasjes së shpejtë te këto asete në një epokë pasigurie gjeopolitike.

“Shqetësimi më i rëndësishëm është se asetet e mbajtura në një juridiksion tjetër mund të bëhen përkohësisht të paarritshme në një skenar ekstrem sanksionesh, problemesh ligjore ose krizash gjeopolitike”, tha ai për DW.

Krishnan Gopaul nga Këshilli Botëror i Arit (World Gold Council) thotë se, në përgjithësi, bankat qendrore në mbarë botën kanë blerë gjithnjë e më shumë ar që nga kriza financiare globale e vitit 2008 dhe po i kushtojnë vëmendje në rritje vendit dhe mënyrës së ruajtjes së tij. Si rezultat çmimet e arit kanë arritur nivele rekord.

Një sondazh i fundit i Këshillit Botëror të Arit tregoi se bankat qendrore kanë shtuar mesatarisht 1 mijë tonë ar në vit gjatë katër viteve të fundit, krahasuar me një mesatare prej 500 tonësh në vit gjatë dekadës së mëparshme.

Sipas Gopaul kriza financiare globale e vitit 2008 u pasua nga kriza e borxhit sovran në eurozonë, më pas nga një sërë krizash politike, pandemia dhe trazira të vazhdueshme gjeopolitike e konflikte. Kjo ka bërë që ari të fitojë rëndësi të re si një aset i sigurt në kohë pasigurie.

“Gjatë dy dekadave të fundit kanë ekzistuar, në forma të ndryshme, pyetje dhe shqetësime lidhur me sistemin financiar global dhe gjendjen e gjeopolitikës”, thotë ai.

Zhvendosja e arit proces kompleks, i rrezikshëm dhe i kushtueshëm

Vendimet e Holandës dhe Francës për të zhvendosur arin e tyre nga SHBA-të drejt Evropës tregojnë se tani vëmendja është përqendruar jo vetëm te sasia e rezervave, por edhe te vendndodhja e tyre, në mënyrë që ato të mund të përdoren shpejt dhe lehtë në rast të një krize të re.

Bankat qendrore, qeveritë dhe fondet sovrane të pasurisë mbajnë rezerva fizike ari në vende të ndryshme. Zhvendosja e tij mund të jetë një proces shumë kompleks, i rrezikshëm dhe i kushtueshëm, ndërsa mundësia për ta shitur ose shkëmbyer me valuta apo asete të tjera varet shpesh nga vendi ku ruhet.

“Bankat qendrore po i kushtojnë më shumë vëmendje jo vetëm llojit të aseteve që zotërojnë, por edhe vendit ku i mbajnë ato, kryesisht për të rritur qëndrueshmërinë dhe fleksibilitetin e rezervave”, thotë Tillett.

Gopaul shton se menaxhimi i rezervave është bërë “jashtëzakonisht i rëndësishëm”. Sipas tij, edhe pse vëmendja përqendrohet shpesh te rreziqet e mundshme që lidhen me juridiksione të caktuara, si SHBA-të, një pjesë e arsyes për këto vendime është sigurimi që ari të jetë sa më afër vendit të origjinës dhe në një qendër tregtare që funksionon me shpejtësi.

Ai thekson se banka qendrore holandeze e zhvendosi arin në Londër dhe jo në Holandë, sepse Britania e Madhe është “një nga qendrat më likuide dhe më aktive të tregtimit të arit në botë”.

“Ideja është që në rast krize apo periudhash me tensione të larta, ky ar të mund të përdoret dhe të vihet në dispozicion shpejt”, thotë ai. “Londra është praktikisht zemra e tregut botëror të arit. Aty zhvillohet një aktivitet i jashtëzakonshëm dhe tregu është shumë likuid, ndaj në kohë krize dëshironi që ari juaj të ndodhet pikërisht aty .”

Banka e Anglisë është një nga institucionet më të mëdha në botë për ruajtjen e arit. Vlerësohet se në depot e saj ndodhen rreth 400 mijë shufra ari, me një vlerë prej afërsisht 270 miliardë dollarë.

Pikëpyetjet rreth SHBA-ve

Megjithëse zhvendosja e arit në një qendër si Londra ka avantazhet e veta për institucionet evropiane, është e qartë se dyshimet mbi besueshmërinë e SHBA-ve në epokën e Trumpit dhe mbi sistemin financiar amerikan në tërësi po ndikojnë gjithnjë e më shumë në vendimmarrje.

Javën e kaluar, drejtuesi i fondit sovran të pasurisë së Norvegjisë, me vlerë rreth 2,3 trilionë dollarë, deklaroi se fondi duhet të ulë ndjeshëm ekspozimin e tij ndaj obligacioneve të Thesarit amerikan. Ky qëndrim duket se lidhet me shqetësimet për tregun e bonove qeveritare amerikane, ku inflacioni i lartë dhe rritja e borxhit publik kanë shtuar kostot e huamarrjes dhe kanë nxitur pasigurinë e investitorëve.

Tillett thotë se ari vazhdon të ndikohet nga vendimet e Rezervës Federale të SHBA-ve dhe se shqetësimet e përgjithshme për tregjet financiare amerikane po i shtyjnë mbajtësit e arit të rishikojnë vendndodhjen e rezervave të tyre.

Përveç këtyre shqetësimeve financiare, retorika e Trumpit lidhur me Grenlandën dhe kërcënimet e vazhdueshme, ndonëse të tërthorta, ndaj Bashkimit Evropian, kanë shtuar arsyet pse institucionet evropiane duan të ripozicionojnë asetet e tyre.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, dhe veçanërisht Banka Federale e Rezervës së Nju-Jorkut në Manhattan, mbeten ende një nga ruajtëset kryesore të arit evropian, sidomos për Gjermaninë. Edhe pse Bundesbank riktheu në Gjermani rreth 300 tonë ar nga SHBA-të midis viteve 2013 dhe 2017, ajo ende mban më shumë se 1 mijë tonë ar në territorin amerikan.

Vitin e kaluar, Bundesbank deklaroi në një njoftim zyrtar: “Nuk kemi asnjë dyshim se Banka Federale e Rezervës së Nju-Jorkut është një partner i besueshëm dhe i sigurt për ruajtjen e rezervave tona të arit.” /Marrë nga DW/

The post Pse bankat evropiane po e heqin arin e tyre nga SHBA-të? appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.