Behgjet Pacolli: Askush nuk është mbi ligjin

Behgjet Pacolli: Askush nuk është mbi ligjin

Behgjet Pacolli, ka reaguar pas arrestimit të gjyqtarit të Gjykatës Themelore, Abdurrahman Gashi, nën dyshimet për korrupsion.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pa paragjykuar fajësinë dhe duke respektuar prezumimin e pafajësisë, arrestimi përbën një veprim të rëndësishëm dhe të domosdoshëm të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.

“Këto institucione meritojnë mbështetje dhe vlerësim sa herë që veprojnë me profesionalizëm, guxim dhe në përputhje me ligjin, pavarësisht se kush është personi nën hetim”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin, veçanërisht personat që, për shkak të funksionit, janë të ngarkuar me zbatimin dhe mbrojtjen e tij.

Sipas Pacollit, korrupsioni në sistemin e drejtësisë është ndër format më të rënda të abuzimit me pushtetin, pasi mund të dëmtojë besimin e qytetarëve në shtet dhe drejtësi, si dhe të cenojë rendin juridik.

“Prandaj, institucionet e hetimit duhet të kenë pavarësinë dhe guximin të veprojnë ndaj kujtdo, pa dallim emri, pozite, funksioni apo ndikimi. Drejtësia është drejtësi vetëm atëherë kur ligji vlen njësoj për të gjithë”, ka deklaruar ai.

Pacolli ka thënë se Kosovës, por edhe Shqipërisë, u duhet një drejtësi që nuk frikësohet, nuk ndikohet dhe nuk i nënshtrohet askujt, përveç ligjit.

“Një shtet i së drejtës nuk matet me fuqinë e atyre që kanë pushtet, por me fuqinë e ligjit për t’i trajtuar të gjithë njësoj”, ka përfunduar Pacolli.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.