Pa burka e nikab në shkolla, Meloni me rregulla të reja për nxënësit dhe prindërit e huaj!

Pa burka e nikab në shkolla, Meloni me rregulla të reja për nxënësit dhe prindërit e huaj!

Ndalimi i burkës dhe nikabit në shkollat italiane, kufiri ligjor për numrin e nxënësve të huaj në një paralele dhe mësimi i detyrueshëm i gjuhës italiane për një pjesë të prindërve të tyre, janë masat që kryeministrja Giorgia Meloni i njoftoi në tubimin “Phoenix”, të organizuar nga krahu rinor i partisë së saj “Vëllezërit e Italisë”.

Meloni bëri të ditur se paketa e masave do t’i dorëzohet së shpejti Këshillit të Ministrave. Numri i saktë maksimal i nxënësve të huaj që do të mund të mësojnë në një klasë hëpërhë nuk është bërë publik.

„Së shpejti para Këshillit të Ministrave do të prezantohet masa me të cilën me ligj do të përcaktohet numri maksimal i nxënësve të huaj në një paralele. Ajo parasheh që edhe prindërit e nxënësve të huaj, të cilët kanë vështirësi të rënda me integrimin në sistemin shkollor, të mësojnë gjuhën italiane, si dhe ndalimin e burkës dhe nikabit në shkolla“, deklaroi Meloni.

Kryeministrja e arsyetoi këtë masë me nevojën që fëmijët që nuk e njohin gjuhën italiane të përfshihen më shpejt në mësim.

„Nëse në paralele ka vetëm një fëmijë që nuk e kupton italishten, ka shumë gjasa që ta mësojë shpejt gjuhën dhe të integrohet me ndihmën e shokëve të klasës dhe mësuesve. Por, nëse numri i fëmijëve që nuk e kuptojnë gjuhën bëhet i madh, apo edhe shumicë, kjo nuk është më integrim, por braktisje“, tha Meloni.

Ndalimi u referohet burkës dhe nikabit, të cilat mbulojnë tërësisht apo në pjesën më të madhe fytyrën. Sipas raportimeve të Reuters dhe Associated Press, në masat e paralajmëruara nuk përmendet ndalimi i hixhabit, i cili mbulon flokët dhe qafën, por jo edhe fytyrën.

„Në shkollë shkohet me fytyrë të zbuluar. Në Itali askush, në emër të ndonjë tradite të vërtetë apo të supozuar, nuk mund të vendosë që një grua e re duhet të fshihet. Barazia mes burrave dhe grave nuk është objekt negociatash, as në rrugët tona e as në shkollat tona“, porositi kryeministrja italiane.

Nxënësit që nuk kanë shtetësi italiane përbëjnë 11.6 për qind të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në shkollat italiane, gjithsej pothuajse 12 në çdo 100 nxënës, sipas të dhënave të fundit nga fondacioni hulumtues ISMU.

Paketa e paralajmëruar ende nuk është bërë ligj. Pas shqyrtimit dhe miratimit nga qeveria italiane, masat do të duhet të kalojnë edhe procedurën e paraparë parlamentare.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.