Cardinale ndez Milanin: Kjo ishte një nga 90 minutat më të mira

Cardinale ndez Milanin: Kjo ishte një nga 90 minutat më të mira

Milani dhuroi një nga paraqitjet më pozitive që prej ardhjes së trajnerit të ri, duke mposhtur Lecce-n me rezultatin 3-0 në “San Siro”.

Atmosfera në stadium ishte krejt ndryshe nga ajo e sfidës së Europa League ndaj Benficës, kur tifozët shprehën pakënaqësinë me skuadrën. Këtë herë, vërshëllimat u zëvendësuan me brohoritje dhe duartrokitje, ndërsa Christian Pulisic, Adrien Rabiot dhe Diego Moreira shënuan golat e fitores, transmeton ORAinfo.

Ndeshja ishte veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se “San Siro” festoi 100-vjetorin e tij.
Pas përfundimit të takimit, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, shprehu kënaqësinë e tij për paraqitjen e skuadrës. Sipas MilanNews, kjo ishte ndeshja e pestë radhazi që Cardinale e ka ndjekur personalisht nga stadiumi.

“Ishte një nga 90 minutat më të mira të futbollit që kemi parë. Dua të përgëzoj Ruben dhe lojtarët tanë që vazhdojnë të luftojnë në këto ndeshje të para përpara pushimit të kombëtareve.”
Cardinale theksoi gjithashtu se skuadrës i duhet kohë për t’u përshtatur me ndryshimet e bëra gjatë verës.

“Nuk duhet të harrojmë se një trajner i ri, me një stil të ri loje dhe lojtarë të rinj, ka nevojë për kohë për të gjetur harmoninë e duhur.”
Në fund, ai falënderoi tifozët kuqezi për mbështetjen e tyre gjatë kësaj periudhe tranzicioni.

“Falënderoj tifozët tanë për mbështetjen e tyre në këtë fazë tranzicioni, ndërsa përpiqemi t’i bëjmë gjërat siç duhet dhe ta rikthejmë Milanin te tradita e tij fituese.” /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.