Sot certifikohen rezultatet e zgjedhjeve: Çfarë ndodh më pas?

Sot certifikohen rezultatet e zgjedhjeve: Çfarë ndodh më pas?

Çfarë do të ndodhë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mblidhet sot për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rreth një muaj pas mbajtjes së tyre. Këto ishin zgjedhjet e treta parlamentare që Kosova organizoi në më pak se një vit e gjysmë.

Çfarë nënkupton certifikimi i rezultateve? Cilët janë hapat e radhës drejt formimit të institucioneve të reja dhe çfarë afatesh parasheh ligji? Për këto dhe procedurat që pasojnë, shpjegojmë më poshtë.

Çka pas certifikimit të rezultateve?

Pas certifikimit të rezultateve, ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Albulena Haxhiut, ka për detyrë ta thërrasë një seancë konstitutive të Kuvendit. Sipas Kushtetutës, seanca duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë së re. Pas konstituimit të Kuvendit, Haxhiut e nominon partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur zyrën e Haxhiut se kur planifikon ta thërrasë seancën konstituive, por nuk ka marrë përgjigje.

Afati kushtetues dhe mundësitë e hershme

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se, megjithëse afati kushtetues për mbajtjen e seancës konstituive është 30 ditë nga certifikimi i rezultateve, ajo mund të thirret edhe shumë më herët. “Duke qenë se rezultatet zgjedhore tashmë janë të njohura, nuk ka arsye objektive që procesi të zvarritet”, thotë ai.

Për shembull, në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura muaj më parë, deputetët e zgjedhur e konstituuan Kuvendin dhe e votuan Qeverinë e re brenda një dite – në një seancë të vetme më 11 shkurt. Kjo u bë e mundur pasi përfaqësuesit e partive parlamentare dhe kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Dimal Basha, ishin pajtuar paraprakisht për rendin e ditës.

Procesin e lehtësoi edhe fitorja bindëse e partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

A mund të zgjasë procesi?

Meqë partia në pushtet duket se i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nuk pritet që këto dy procese të hasin në pengesa. Megjithatë, një çështje tjetër mund ta mbajë vendin në krizë institucionale: zgjedhja e presidentit të ri.

Partia e Kurtit i ka fituar 53 vende në Kuvendin me 120 sosh, dhe i nevojiten të paktën 61 për Kuvendin dhe Qeverinë e re. Duke pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë votat për këtë proces nuk pritet të jenë telash.

Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i tha REL-it se partia e tyre do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.

Partitë opozitare kanë fituar: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë ulëse.

Sipas Jakajt, Kurti do të detyrohet të ulet me partitë opozitare për të gjetur një marrëveshje politike, për t’u siguruar që vendi do të ketë funksionim afatgjatë të institucioneve. “Një parti që e vendos interesin e shtetit në plan të parë, duhet ta ketë parasysh se çdo vonesë në formimin e institucioneve prodhon kosto për vendin”, thotë ai.

Çfarë ndodh nëse nuk arrihet marrëveshje?

Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm. Në mungesë të një marrëveshjeje politike, kjo është e pamundur për secilën parti parlamentare.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, thotë Jakaj.

Deri tani, partitë politike nuk kanë mbajtur bisedime për një marrëveshje të mundshme politike për presidentin. Kurti është shprehur i hapur për bisedime me partitë e tjera, ndërsa Nagavci i tha REL-it se partia e tyre “do të bëjë gjithçka” që të arrihen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri.

PDK-ja ka thënë se partia do të ishte e hapur për bisedime me të gjitha partitë, ndërsa LDK-ja ka vendosur disa parakushte për një marrëveshje, përfshirë çështjen e gazit amerikan. Jakaj nënvizon se deklaratat e deritanishme të partive “tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje nuk do të jetë e lehtë”.

“Çdo vonesë rrit rrezikun e një krize të re institucionale dhe të përsëritjes së zgjedhjeve”, thekson Jakaj.

Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.

Me pak fjalë

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, presidentja e përkohshme e Kosovës, Albulena Haxhiut, duhet të thërrasë një seancë konstitutive të Kuvendit brenda 30 ditëve. Nëse procesi për zgjedhjen e presidentit të ri nuk arrihet në afatin kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.