Çitaku: Aleatët historikë të Thaçit po thonë pranojeni vendimin, jo faleminderit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se nuk e pranojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Hagës ndonëse këtë po e kërkojnë edhe siç ka thënë – aleatët historikë të Hashim Thaçit.
Ajo në reagimin e saj është shprehur se kjo katërshe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot u dënua, ndoshta dikur kanë qenë vetëm njerëz me të cilët aleatët e Kosovës kanë bashkëpunuar, por për Kosovën ata janë pjesë e historisë.
“Për ju, ndoshta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë vetëm njerëz me të cilët, në një moment të caktuar të historisë, keni bashkëpunuar. Njerëz që dikur i keni vlerësuar e lartësuar, aq sa Hashim Thaçin e keni krahasuar edhe me George Ëashingtonin. Për ne, nuk janë thjesht personazhe të një kapitulli të kaluar. Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës. Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim”, thuhet në reagimin e Çitakut.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, ka shtuar se këtë vendim do ta kundërshtojnë deri në fund.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian, kanë kërkuar që të respektohet vendimi i Dhomave të Specializuara të Hagës, vendim i cili i shpalli fajtor katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



