Çmimi fluturoi, konsumi jo: Mbi 530 milionë litra derivate hynë në Kosovë për shtatë muaj

Çmimet e larta të derivateve nuk e kanë frenuar kërkesën në tregun e Kosovës. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, vendi ka importuar mbi 530 milionë litra benzinë dhe naftë, me një vlerë totale të mallrave prej rreth 410.97 milionë euro.
Sipas të dhënave të importit nga DOgana e Kosovës pjesën dërrmuese e importit e përbën nafta, me rreth 473.75 milionë litra, ndërsa benzina arrin në rreth 56.54 milionë litra.
Në vlerë monetare, importi i këtyre derivateve ka arritur në rreth 410.97 milionë euro, shkruan ORAinfo.
Çmimi pranë 1.80 euro për litër
Shifrat vijnë në një periudhë kur konsumatorët kosovarë janë përballur me rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve, me çmimin e naftës që është ngjitur deri afër 1.80 euro për litër.
Megjithatë, rritja e çmimit nuk duket se ka sjellë ndonjë frenim të madh të kërkesës për derivate.
Përkundrazi, vetëm gjatë muajit korrik, importi i benzinës dhe naftës ka arritur në rreth 97.8 milionë litra, duke e bërë atë muajin me sasinë më të madhe të importuar gjatë shtatë muajve të parë të vitit.
Edhe qershori shënoi import të lartë, me rreth 83.6 milionë litra, ndërsa në mars u importuan rreth 75.2 milionë litra.
410 milionë euro vlera e derivateve të importuara
Nëse merret parasysh vlera e deklaruar e mallrave, importi i këtyre derivateve për shtatë muaj ka kaluar shifrën prej 410 milionë eurosh.
Kjo do të thotë se, mesatarisht, për çdo litër të importuar në kategoritë e analizuara, vlera e deklaruar e mallit ka qenë rreth 0.78 euro, para se të llogariten taksat dhe kostot tjera që ndikojnë në çmimin përfundimtar në treg.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se derivatet kanë gjeneruar të hyra të konsiderueshme për arkën e shtetit.
Vetëm akciza e regjistruar për këto importe gjatë periudhës janar–korrik arrin në rreth 188.64 milionë euro, ndërsa TVSH-ja e regjistruar është rreth 106.95 milionë euro.
Korriku, muaji me importin më të madh
Korriku ishte muaji me importin më të lartë, me mbi 97.8 milionë litra, ndërsa shifra më e ulët u regjistrua në shkurt, me rreth 63.9 milionë litra.
Shifrat japin një pasqyrë të qartë të peshës që kanë derivatet në ekonominë kosovare: edhe kur çmimi në pompa është afruar me 1.80 euro për litër, kërkesa për karburante ka mbetur e lartë dhe importi ka vazhduar me ritme të konsiderueshme. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



