Corina Gredig: “Iniciativa për neutralitetin do ta dobësonte politikën tonë të paqes”

Zvicra e njohu Kosovën në vitin 2008, vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë. Që atëherë shumëçka ka ndryshuar – në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor dhe në marrëdhëniet me Zvicrën. Kryetarja e Grupit Parlamentar të GLP-së, Corina Gredig, është anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Këshillit Kombëtar. Në këtë intervistë ajo flet për rolin e Zvicrës në rajon dhe shpjegon pse iniciativa për neutralitetin vë në pikëpyetje edhe vazhdimin e misionit SWISSCOY në Kosovë.
Zonja deputete Gredig, Zvicra ishte ndër shtetet e para që e njohën Kosovën e pavarur në vitin 2008. Duke parë nga perspektiva e sotme, a ishte ky vendimi i duhur?
Po. Zvicra atëherë e bëri të qartë qëndrimin e saj që në fillim. Kjo ishte e rëndësishme dhe krijoi një bazë të mirë për marrëdhëniet që kemi sot.
Por që atëherë kanë ndryshuar edhe vetë marrëdhëniet. Sot, Zvicrën me Kosovën dhe me gjithë Ballkanin Perëndimor e lidh shumë më tepër sesa vetëm politika e jashtme klasike. Shumë njerëz që jetojnë në Zvicër kanë rrënjë familjare në këtë rajon. Familjet jetojnë përtej kufijve shtetërorë, kompanitë janë të ndërlidhura dhe shkëmbimet janë intensive. E gjithë kjo ndikon edhe në mënyrën se si e shohim Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, në Ballkanin Perëndimor shumë çështje vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Sidomos ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ende tensione. Çfarë mund të bëjë realisht Zvicra në këtë drejtim?
Nuk duhet ta mbivlerësojmë ndikimin tonë. Zvicra nuk do t’i zgjidhë konfliktet në Ballkanin Perëndimor. Por ajo mund të japë një kontribut konkret.
Këtë e bën, për shembull, përmes bashkëpunimit për zhvillim, angazhimit diplomatik dhe promovimit të paqes. Dhe, natyrisht, edhe përmes SWISSCOY-t në Kosovë. Për mua është vendimtare që të marrim përgjegjësi aty ku realisht mund të ndikojmë.
Njëkohësisht, zhvillimet në këtë rajon janë edhe në interesin tonë. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe gjeografikisht ndodhet pranë nesh. Prandaj, ajo që ndodh atje prek edhe Zvicrën – në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror.
Që nga viti 1999, Zvicra merr pjesë në KFOR në Kosovë përmes SWISSCOY-t. A është vërtet ende i nevojshëm ky mision pas 27 vjetësh?
Po, për aq kohë sa situata në terren e bën të nevojshëm një angazhim të tillë. KFOR-i vazhdon të kontribuojë në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes në Kosovë. Zvicra prej shumë vitesh merr përsipër përgjegjësi në këtë kuadër.
Për mua, SWISSCOY është gjithashtu një shembull i mirë se çfarë nënkupton neutraliteti aktiv: neutraliteti nuk do të thotë që Zvicra të tërhiqet nga bashkëpunimi ndërkombëtar. Ne mund të jemi ushtarakisht neutralë dhe, njëkohësisht, të angazhohemi për promovimin e paqes.
Mbështetësit e iniciativës për neutralitetin thonë se, edhe nëse iniciativa miratohet, Zvicra do të mund të vazhdojë të ofrojë shërbimet e saj të mira dhe të angazhohet për paqen. Çfarë e kundërshton këtë argument?
Iniciativa do të kishte pasoja shumë konkrete mbi mundësitë tona për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe të politikës së paqes. SWISSCOY është pikërisht një shembull që e dëshmon këtë.
KFOR-i në Kosovë është një mision paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja. Zvicra nuk është anëtare e NATO-s, por bashkëpunon me të në kuadër të promovimit të paqes. Pikërisht ky bashkëpunim do të kufizohej ndjeshëm nga iniciativa për neutralitetin.
Për këtë arsye, Këshilli Federal thekson në mesazhin e tij për iniciativën se, në rast të miratimit të saj, bashkëpunimi për promovimin e paqes do të kufizohej ndjeshëm, në mos do të bëhej krejtësisht i pamundur. Si rrjedhojë, do të vihej në pikëpyetje edhe vazhdimi i misionit SWISSCOY në Kosovë.
Për mua, kjo do të ishte një dobësim krejtësisht i panevojshëm i politikës zvicerane të paqes. Ne do t’ia hiqnim vetes mundësitë që i kemi shfrytëzuar me sukses prej dekadash.
Nismëtarët duan ta forcojnë neutralitetin. Ju thoni se kjo iniciativë do ta dobësonte atë?
Po, sepse për mua një neutralitet i fortë kërkon hapësirë veprimi. Neutraliteti nuk është qëllim në vetvete. Ai duhet t’i mundësojë Zvicrës të mbrojë interesat e saj dhe të japë një kontribut të besueshëm për paqen.
Iniciativa për neutralitetin do ta shndërronte një instrument të dëshmuar në një kornizë të ngushtë kufizuese. Pikërisht bashkëpunimi në promovimin e paqes mund të pësonte prej saj. Mendoj se kjo është rruga e gabuar.
Pikërisht në Kosovë shohim se, me neutralitetin e saj të deritanishëm, Zvicra mund të marrë përgjegjësi. Nuk duhet të heqim dorë vullnetarisht nga kjo mundësi.
Prandaj, më 27 shtator, unë do të votoj qartazi Jo ndaj iniciativës për neutralitetin.
LEXONI PO ASHTU….
Jauslin: “Iniciativa e Neutralitetit rrezikon misionin zviceran në Kosovë”
LEXONI PO ASHTU:
“Ballkani Perëndimor dhe Zvicra janë prej kohësh të lidhur ngushtë mes vete”
The post Corina Gredig: “Iniciativa për neutralitetin do ta dobësonte politikën tonë të paqes” appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



