Delegacionet e SHBA dhe Rusisë, takim në Stamboll/ Fokus, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve
Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u takuan të enjten në Stamboll për raundin e dytë të bisedimeve që synojnë normalizimin e funksionimit të misioneve të tyre diplomatike, pas disa viteve të përplasjes reciproke dhe dëbimeve të diplomatëve për shkak të marrëdhënieve të tensionuara dypalëshe. Një burim pranë delegacionit rus i tha agjencisë shtetërore [...]Read More...

Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u takuan të enjten në Stamboll për raundin e dytë të bisedimeve që synojnë normalizimin e funksionimit të misioneve të tyre diplomatike, pas disa viteve të përplasjes reciproke dhe dëbimeve të diplomatëve për shkak të marrëdhënieve të tensionuara dypalëshe.
Një burim pranë delegacionit rus i tha agjencisë shtetërore ruse TASS se atmosfera ishte “pozitive” dhe se takimi i së enjtes pritej të zgjaste “disa orë, por ndoshta jo sa takimi i fundit në Stamboll” më 27 shkurt, i cili zgjati gjashtë orë.
Vendimi për të nisur këto bisedime për misionet diplomatike u mor pas një takimi mes Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Arabinë Saudite më 18 shkurt — ky ishte takimi i parë në nivel të lartë mes dy vendeve që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.
Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi këtë javë se diskutimet në Stamboll janë të përqendruara vetëm te funksionimi i misioneve diplomatike dhe nuk përfshijnë çështje politike apo të sigurisë.
“Nuk ka asnjë çështje politike apo të sigurisë në agjendë, dhe Ukraina nuk është absolutisht nuk është në agjendë,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, për gazetarët.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë drejt një rivendosjeje të marrëdhënieve me Moskën që prej marrjes së detyrës në janar dhe ka nisur disa raunde bisedimesh me zyrtarë rusë.
/ abcnews.al