Deliu: Kuvendi i Republikës nuk është i një partie, nuk guxon të mbetet peng

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se zhvillimet e djeshme në Kuvend kanë qenë në kuadër të përpjekjeve të kësaj partie për të kthyer, siç u shpreh ajo, rendin kushtetues.
Deliu-Kodra bëri të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet sekretares së Kuvendit lidhur me zhvillimet e fundit dhe mënyrën se si janë zhvilluar punimet në institucion.
“Në kuadër të aktiviteteve që PDK-ja do t’i ketë në Kuvend, do t’i adresohemi sekretares së Kuvendit. Ju e keni parë dje që zhvillimet në Kuvend kanë qenë në kuadër të përpjekjeve tona. Kuvendi është marrë peng prej një partie politike”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk i përket një partie politike, por të gjithë deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.
“Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike. Kuvendi u takon të gjithë deputetëve të parlamentit që janë betuar në këtë parlament dhe nuk mundet një parti politike të shantazhojë administratën”, deklaroi ajo./Gazeta10
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



