Dënimi me burg i ish-krerëve të UÇK-së, Vuçiç reagon për herë të parë: Ja çfarë kërkoi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në një konferencë për mediat, Vuçiç deklaroi se Serbia duhet të ruajë paqen dhe stabilitetin, ndërsa përballja me të kaluarën, sipas tij, duhet të bëhet përmes dialogut.
Presidenti serb u ndal më pas te përmbajtja e aktgjykimit, duke shprehur pakënaqësi për faktin se katër ish-drejtuesit e UÇK-së nuk u shpallën fajtorë për akuzat për krime kundër njerëzimit.
“E gjithë kjo nuk u mor parasysh dhe, siç thashë, këto gjashtë akuza, të cilat kanë të bëjnë me krimet më të rënda kundër njerëzimit, nuk u shpallën fajtorë. Nuk kemi arsye të jemi të lumtur ose të trishtuar”, deklaroi Vuçiç.
Aktgjykimi i shpallur këtë të mërkurë i dënoi katër ish-drejtuesit e UÇK-së me gjithsej 81 vite burgim: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi me nga 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Ata u shpallën fajtorë për krime lufte që përfshijnë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Ndërkohë, trupi gjykues i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi konstatoi se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Pikërisht kjo pjesë e vendimit ishte në qendër të reagimit të Vuçiçit, i cili pretendoi se aktgjykimi nuk adreson një sërë krimesh që Serbia prej vitesh pretendon se janë kryer ndaj serbëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Vendimi i 16 shtatorit është i shkallës së parë dhe mund të apelohet nga palët.
The post Dënimi me burg i ish-krerëve të UÇK-së, Vuçiç reagon për herë të parë: Ja çfarë kërkoi appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



