SPAK dërgon për gjykim 16 persona, dyshohet se trafikuan 60.7 tonë kokainë drejt Europës

SPAK dërgon për gjykim 16 persona, dyshohet se trafikuan 60.7 tonë kokainë drejt Europës

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, mes tyre Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, të cilin e identifikon si një nga dy drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale. Sipas dosjes, rrjeti ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019-2021. Në hetim janë përfshirë edhe pasuritë e dyshuara si të krijuara nga aktiviteti kriminal, me vlerë rreth 9.18 milionë euro.

Franc Çopja, i njohur edhe me emrin Franc Gergely, është mes 16 personave që SPAK ka dërguar për gjykim në kuadër të një hetimi për një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt tregjeve europiane.

Në njoftimin e datës 5 nëntor 2026, Prokuroria e Posaçme bën të ditur se ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 187/2023 dhe ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykimin e 16 të pandehurve.

Në qendër të dosjes janë Franc Gergely, alias Franc Çopja, dhe Ervis Çela, të cilët sipas SPAK kanë ushtruar funksione bashkëdrejtuese në këtë organizatë kriminale. Të dy akuzohen për përfshirje në organizimin dhe koordinimin e hallkave të ndryshme të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Sipas hetimeve, organizata ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019-2021 dhe dyshohet se ka trafikuar jo më pak se 60.7 tonë kokainë. Rrjeti kishte lidhje me grupe kriminale në Paraguaj dhe Brazil, ndërsa aktivitetin e shtrinte në Gjermani, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali.

Roli i Franc Çopjas dhe Ervis Çelës në organizatë

Në dosjen hetimore, SPAK i atribuon Franc Çopjas një rol qendror në financimin dhe koordinimin e transportit ndërkombëtar të kokainës, nxjerrjen e ngarkesave nga portet europiane dhe administrimin e shpërndarjes së drogës në tregjet e Europës.

Ndërsa Ervis Çela dyshohet se merrej me sigurimin e kokainës në vendet e origjinës, kontaktet me furnizuesit në Amerikën Latine, financimin e blerjes dhe organizimin e transportit drejt Paraguajit.

Sipas prokurorisë, kokaina transportohej fillimisht nga Bolivia drejt Paraguajit, përmes avionëve të vegjël, dhe më pas grumbullohej e përgatitej për eksport drejt Europës.

Për kamuflimin e ngarkesave përdoreshin kompani tregtare që kryenin aktivitet import-eksporti të produkteve të ligjshme. Kokaina fshihej në ngarkesa me stuko patinimi, bojëra dhe produkte të tjera industriale.

Një nga destinacionet kryesore ishte porti i Anversës në Belgjikë. Sipas SPAK, Franc Çopja kishte kontakte me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë portuale, përfshirë punonjës që operonin skanerët, të cilët dyshohet se ndihmonin në nxjerrjen e ngarkesave.

Pas mbërritjes në Europë, Holanda shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë të kokainës.

Hetuesit kanë analizuar komunikimet e përftuara nga platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, ku sipas dosjes janë gjetur biseda për sasitë, çmimet, transportin dhe pagesat e kokainës.

Për transferimin e parave përdorej edhe sistemi informal Hawala, si dhe kode identifikuese të njohura si “token”, përmes të cilave koordinohej dorëzimi dhe marrja e shumave monetare.

60.7 tonë kokainë të trafikuara, 18.6 tonë të sekuestruara në pesë episode

SPAK evidenton pesë episode konkrete të sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës, të lidhura me aktivitetin e dyshuar të organizatës.

Në dhjetor 2019, në Roterdam u sekuestruan rreth 255 kilogramë kokainë. Në prill 2020, në Barcelonë u kapën 495 kilogramë, ndërsa në maj të po atij viti, në Roterdam u sekuestruan 300 kilogramë të tjera.

Në nëntor 2020, në Holandë u sekuestruan rreth 600 kilogramë kokainë, ndërsa në shkurt 2021, në Hamburg të Gjermanisë, u kap ngarkesa më e madhe prej rreth 17 tonësh.

Në total, pesë episodet përfaqësojnë rreth 18.6 tonë kokainë të sekuestruar.

SPAK sekuestron rreth 9.18 milionë euro pasuri

Paralelisht me hetimin penal, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur edhe gjurmimin e pasurive që dyshohet se janë krijuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të personave nën hetim dhe individëve të lidhur me ta.

Mes pasurive të sekuestruara është edhe resorti “Ajman Park”, në Xhafzotaj të Durrësit, i cili përfshin hotel, restorant dhe ambiente të tjera shërbimi. Vlera e investimit në këtë kompleks, sipas aktit të ekspertimit, arrin në rreth 463 milionë lekë.

Në emër të Fadil Ballës është sekuestruar edhe një vilë në kompleksin turistik “Ionian Olea”, në Dhërmi, me vlerë tregu të vlerësuar në 1 milion euro.

Hetimi pasuror ka prekur gjithashtu pasuri të lidhura me Albin dhe Riza Çelën, përfshirë toka, kapanone industriale, ndërtesa dhe interesa në shoqëri tregtare.

SPAK bën me dije se investimet e Albin dhe Riza Çelës në blerjen e tokave kapin vlerën mbi 50 milionë lekë, ndërsa kostoja e ndërtimit të katër objekteve vlerësohet në mbi 1.2 milionë euro.

Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen edhe kuotat e shoqërisë “Check Company”, 25 automjete në pronësi të saj, 130 mijë euro cash dhe pasuri të tjera.

Vlera totale e pasurive dhe shumave monetare të sekuestruara përllogaritet në rreth 9.18 milionë euro.

Në këtë hetim SPAK ka bashkëpunuar me Eurojust, Europol dhe autoritetet gjyqësore të disa vendeve europiane dhe të Amerikës së Jugut.

Prokuroria bën të ditur se hetimet vijojnë në një procedim të veçuar për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe gjurmimin e pasurive të mundshme që lidhen me aktivitetin kriminal.

Personat e dërguar për gjykim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

The post SPAK dërgon për gjykim 16 persona, dyshohet se trafikuan 60.7 tonë kokainë drejt Europës appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.