Dizajni kosovar prezantohet në “Dutch Design Week 2026” në Holandë

Krijimtaria dhe dizajni nga Kosova janë prezantuar në një prej platformave të rëndësishme ndërkombëtare të dizajnit, “Dutch Design Week 2026”, që mbahet në qytetin e Eindhovenit në Holandë, transmeton albinfo.ch.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, diplomatët Mirlindë Gashi dhe Jeta Gjikolli u pritën në Eindhoven nga Ibrahim Beqiri, i cili prezantoi risitë dhe punën krijuese të Kosovës në këtë platformë ndërkombëtare.
Me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Hagë, në këtë aktivitet u prezantua “Shape & Shade”, një formë ndriçimi nga “Design Kosova”, përmes së cilës krijimtaria vendore u bë pjesë e një hapësire ndërkombëtare të shkëmbimit të ideve dhe inovacionit.
Koleksioni “Shape & Shade” sjell një qasje inovative në promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, duke e ndërthurur atë me estetikën moderne. Përmes përdorimit të materialeve eksperimentale dhe formave kreative, projekti krijon një lidhje mes elementeve tradicionale dhe shprehjes bashkëkohore të dizajnit.
Përveç prezantimit të krijimtarisë kosovare, pjesëmarrja në këtë platformë ka shërbyer edhe si mundësi për të shqyrtuar perspektivat e bashkëpunimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve të biznesit ndërmjet Kosovës dhe Holandës në sektorin e dizajnit.
“Dutch Design Week” konsiderohet një prej platformave të rëndësishme për dizajnin, duke mbledhur sipërmarrës, projektues dhe entuziastë të këtij sektori, si dhe duke krijuar hapësirë për prezantimin e ideve dhe projekteve të reja.
Përmes pjesëmarrjes në këtë ngjarje, dizajni kosovar prezantohet në një skenë ndërkombëtare, duke vënë në pah potencialin krijues dhe mundësitë që ofron ndërthurja e trashëgimisë kulturore me inovacionin bashkëkohor. /Albinfo.ch
The post Dizajni kosovar prezantohet në “Dutch Design Week 2026” në Holandë appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



