Me BMW me 185 km/h drejt Tabanocit, kamerat e kapin – policia e arreston në kufi!

Një shtetas 34-vjeçar i Malit të Zi është arrestuar në pikën kufitare të Tabanocit, pasi kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” e kishin regjistruar duke drejtuar automjetin me shpejtësi 185 kilometra në orë, në një segment rrugor ku kufizimi është 100 km/h.
Sipas policisë, M.N. u ndalua më 14 tetor, rreth orës 14:25, gjatë përpjekjes për t’u larguar nga Maqedonia e Veriut me automjetin e tij BMW, me targa malazeze.
Shkelja ishte regjistruar në autostradën Shkup–Tabanoc, pranë nyjës rrugore të Delladrocit, ku shoferi kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar për 85 kilometra në orë.
Pas verifikimeve, policia konstatoi se ndaj tij ekzistonte dyshimi për veprën penale “drejtim i pakujdesshëm dhe i rrezikshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
34-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



