Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi: Bashkëpunimi rajonal eshtë kyç për tranzicionin energjetik

Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi: Bashkëpunimi rajonal është kyç për tranzicionin energjetik
Një ndërlidhje më e fortë rajonale, interkoneksione të reja dhe investime të përbashkëta në infrastrukturën e transmetimit janë parakusht për suksesin e tranzicionit energjetik. Kjo mesazh u përcoll nga Burim Latifi, drejtori i përgjithshëm i SHA-s MEPSO, gjatë panel-diskutimit me temë “Integrimi rajonal i sistemeve elektroenergjetike dhe tregjeve të energjisë elektrike”, të organizuar në kuadër të 20-vjetorit të operatorit kosovar të rrjetit të transmetimit, KOSTT.
Në këtë panel morën pjesë edhe drejtori ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, dhe administratori i operatorit shqiptar OST, Elisian Bici. Në diskutime, Latifi theksoi se planet evropiane parashikojnë një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, ndërsa Ballkani Perëndimor ka një rol kyç në këtë proces.
“Koridori i transmetimit Lindje–Perëndim përfaqëson një nga nismat më të rëndësishme rajonale. Vizioni i përbashkët dhe koordinimi ndërmjet operatorëve janë mënyra e vetme për të ndërtuar në kohë infrastrukturë që do të mund t’u përgjigjet nevojave të tranzicionit energjetik”, tha ai.
MEPSO po angazhohet në mënyrë aktive për realizimin e interkoneksionit të ri 400 kV Manastir – Ohër – Elbasan, i cili do të rrisë kapacitetin për shkëmbimin ndërkufitar të energjisë elektrike me Shqipërinë. Përveç kësaj, po zhvillohen edhe aktivitete për interkoneksionin e ri me Bullgarinë, si dhe modernizimin e lidhjes ekzistuese me Greqinë. Këto projekte janë pjesë e një strategjie më të gjerë rajonale për forcimin e ndërlidhjes elektroenergjetike në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar burimeve të ripërtëritshme të energjisë, Latifi theksoi se MEPSO tashmë menaxhon kapacitete të konsiderueshme të lidhura në rrjetin e transmetimit. Në periudhën e ardhshme, pritet intensifikimi i investimeve në rrjetin e transmetimit, sistemet e balancimit, ruajtjen e energjisë dhe digjitalizimin.
“Suksesi i tranzicionit energjetik varet nga partneriteti i fortë rajonal, planifikimi i përbashkët dhe investimet në kohë në infrastrukturën e transmetimit. Vetëm përmes bashkëpunimit të koordinuar mund të ndërtojmë një sistem energjetik evropian të sigurt dhe të qëndrueshëm”, theksoi Latifi, duke shtuar se vizioni i MEPSO-s është të zhvillohet si një operator modern i sistemit, i cili, përveç infrastrukturës, do të menaxhojë edhe të dhëna, teknologji digjitale dhe zgjidhje inteligjente që do të sigurojnë një sistem elektroenergjetik të besueshëm, fleksibil dhe të qëndrueshëm.
Me pak fjalë
Tranzicioni energjetik në Ballkanin Perëndimor kërkon ndërlidhje më të forta rajonale, interkoneksione të reja dhe investime të përbashkëta. Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, theksoi se partneriteti rajonal dhe koordinimi ndërmjet operatorëve janë kyç për ndërtimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të sigurt në Evropën Juglindore.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



