E konfirmon Prokuroria: Policia autorizohet të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka sulmuar verbalisht gazetarët e pranishëm në Qendrën Komunale të Numërimit të Votave në Prishtinë, të mërkurën, duke i fyer dhe akuzuar ata me fjalë të

E konfirmon Prokuroria: Policia autorizohet të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka sulmuar verbalisht gazetarët e pranishëm në Qendrën Komunale të Numërimit të Votave në Prishtinë, të mërkurën, duke i fyer dhe akuzuar ata me fjalë të rënda.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Qen të mediave” dhe “media kriminale të vrasësve me pagesë” ishin disa nga epitetet që Kurteshi përdori në adresë të gazetarëve. “Na kemi fitu, na u kanë lëshu me media e me krejt dhe kemi fitu. Kësi qen të mediave që kanë shkru gjithçka domethënë s’i marr parasysh… Le të pëlcasin e le të vinë, le të këqyrin qysh bëhet”, dëgjohej ai duke thënë.

Megjithatë, akuzat më të rënda erdhën kur Kurteshi përmendi drejtues të caktuar të mediave si të ndërlidhur dhe ndihmës të krimit të organizuar.

“Jeni të instruktuar prej një krimineli që është vrasës me pagesë, është përbaltës dhe ndihmës i vrasësve me pagesë”, tha ai.

Paçka se nuk kurseu akuza dhe ofendime, Kurteshi në asnjë moment nuk sqaroi se kush janë “vrasësit me pagesë”, ndihmës të të cilëve, sipas tij, qenkëshin drejtues të caktuar të mediave.

Prandaj, përveç që këto akuza ngrisin pyetjen: kush janë vrasësit me pagesë? – është një tjetër pyetje po kaq e rëndësishme që buron prej fjalëve të Kurteshit: pse ai s’i ka bërë të ditura as për publikun dhe as s’ia ka dhënë drejtësisë informacionet që ai pretendon se ka?

Për të sqaruar këto deklarata, Albanian Post kontaktoi Kurteshin, por ai refuzoi të japë një prononcim. “Nuk deklarohem për ju,” tha shkurt ai, përpara se të mbyllte telefonin.

Ndaj gjuhës së përdorur nga Kurteshi kanë reaguar organizata të shumta joqeveritare duke kërkuar shkarkimin e tij.