Ky është babai i arrestuar që dyshohet për vrasjen e dyfishtë në Gjilan

Është arrestuar një 65-vjeçar, i cili dyshohet për përfshirje në rastin e rëndë në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë një 27-vjeçar dhe një foshnjë.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e saj se personi i arrestuar, i cili është babai i 27-vjeçarit të ndjerë dhe gjyshi i foshnjës, është me inicialet B.D.
I dyshuari është arrestuar pas hetimeve fillestare të zhvilluara nga Policia e Kosovës, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Siç raportoi më herët Sinjali, 27-vjeçari është identifikuar si Adonis Demiri, ndërsa foshnja e gjetur pa shenja jete ishte e gjinisë femërore.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur gjithashtu se nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me 27-vjeçarin dhe vajzën e vogël.
Rasti ishte raportuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku ishte konstatuar vdekja e dy personave.
Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



