Kush është Bekim Sejdiu, kandidati i LVV dhe LDK për President?

Kush është Bekim Sejdiu, kandidati i LVV dhe LDK për President?

Bekim Sejdiu (i lindur në vitin 1974) është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, prej vitit 2015.

Më parë Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Ai ka qenë Ambasador i Republikës së Kosovës në Turqi (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork (2012-2014).

Bekim Sejdiu ka qenë edhe këshilltar politik në Kabinetin e Ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Ai ka qenë edhe profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës i ka kryer në vitin 1999. Më pas ka magjistratur në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit (2005), dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001).

Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.

Ka punuar edhe në institutin KIPRED (2002-2008) e ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC./Bahri Cani


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.