Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje”

Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje”

Këshilli Bashkiak i Gjenevës në Zvicër ka miratuar rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje”, duke shprehur mbështetje për mobilizimin qytetar në Shqipëri lidhur me mbrojtjen e Nartës, Zvërnecit, Sazanit, bregdetit dhe zonave të tjera me rëndësi natyrore, transmeton albinfo.ch.

Rezoluta R-338, e paraqitur më 15 shtator, është miratuar me 41 vota pro, 34 kundër dhe asnjë abstenim. Në tekstin e saj përmenden shqetësimet lidhur me zhvillimet dhe projektet turistike në zona të mbrojtura të Shqipërisë, veçanërisht në Nartë, Zvërnec dhe Sazan.

Sipas njoftimit të bërë publik nga Dorina Xhixho, e cila është angazhuar në mobilizimet e diasporës shqiptare në Gjenevë, rezoluta mbështet kërkesat për transparencë, konsultim me popullsinë e prekur dhe garantimin e lirisë së shprehjes, tubimit dhe manifestimit paqësor.

 

 

Xhixho ka falënderuar të zgjedhurit lokalë që mbështetën tekstin, si dhe diasporën shqiptare në Gjenevë për angazhimin në miratimin e rezolutës.

Nisma lidhet me protestat që prej muajsh janë zhvilluar në Shqipëri dhe në diasporë kundër projekteve turistike dhe ndërhyrjeve të planifikuara në zona bregdetare dhe të mbrojtura.

Rezoluta e Gjenevës u bën thirrje autoriteteve shqiptare, ndër të tjera, për mbrojtjen e bregdetit dhe hapësirave natyrore, transparencë në vendimmarrje, konsultim me komunitetet e prekura dhe respektimin e standardeve të mbrojtjes së mjedisit./Albinfo.ch 

The post Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje” appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.