Hajdari mbrohet: Reformat në tregun e naftës kanë rritur kontrollin dhe sigurinë

Hajdari mbrohet: Reformat në tregun e naftës kanë rritur kontrollin dhe sigurinë

Rozeta Hajdari mbrohet kundër "fushatës së shpifjeve" në tregun e naftës

Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar ndaj asaj që ajo e quan një "fushatë të koordinuar shpifjesh" nga disa portale, duke mbrojtur reformat e ndërmarra gjatë mandatit të saj në sektorin e tregtimit të produkteve të naftës.

Sipas Hajdarit, sulmet kundër reformave vijnë nga grupe që kanë përfituar për vite me radhë nga mungesa e kontrollit, konkurrencës dhe mbikëqyrjes shtetërore. Ajo thekson se pretendimet për largimin e trupave inspektuese nuk kanë bazë, pasi produktet e importuara vazhdojnë të kontrollohen nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit të autorizuar.

Hajdari shton se testimi i cilësisë realizohet në laboratorin shtetëror të Doganës së Kosovës, të cilin e cilëson si "laborator modern dhe të akredituar".

“Faktet kundër shpifjeve të ulëta janë të qarta. Pretendimet e publikuara nga disa portale për kinse ‘largimin e trupave inspektuese’ nuk qëndrojnë. Sot, produktet e importuara të naftës janë të kontrolluara nga Dogana e Kosovës, ndërsa mostrimi i këtyre produkteve nga importi në hyrje në Kosovë vazhdon të kryhet nga trupat për vlerësim të konformitetit (TVK), të autorizuara sipas legjislacionit në fuqi”, u shpreh Hajdari.

Për tregun e mbrendshëm të produkteve të naftës, mostrat për testim merren nga inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Testimi i cilësisë kryhet në laboratorin shtetëror të Doganës, i cili është i pajisur me teknologjinë më moderne dhe merr pjesë në aktivitete të Rrjetit të Laboratorëve Doganor të Evropës (CLEN).

Rozeta Hajdari thekson se reformat kanë dhënë rezultate konkrete, duke përmendur:

  • 98% e pikave të shitjes së produkteve të naftës janë të licencuara;
  • Kohëzgjatja për lejet dhe licencat është zgjatur nga 2 në 6 vjet;
  • Tarifat për tregti me produkte të naftës janë ulur nga 500-5,000 euro në 50 euro për të gjitha llojet e lejeve;
  • Testimet e cilësisë kryhen pa kosto financiare për bizneset;
  • Katër rafineri që nuk plotësonin standardet janë mbyllur.

Ajo gjithashtu thekson se keqpërdorimet në sektorin e naftës janë objekt i proceseve gjyqësore, duke përmendur dënimin e një ish-ministri për keqpërdorime lidhur me mostrimin për testim të cilësisë së naftës.

“Reformat tona për një treg të rregullt, të sigurt dhe me standarde evropiane nuk kthehen prapa. Draftet e finalizuara nga MINT gjatë vitit 2025, në pritje për miratim në Qeveri dhe Kuvend, do të avancojnë tutje reformën në tregtimin dhe mbikëqyrjen e cilësisë së produkteve të naftës”, shton Hajdari.

Për çdo shpifje ose dezinformatë që cenon punën e institucioneve, ajo thekson se do të ndiqen rrugët ligjore, duke theksuar se interesi i qytetarëve dhe i Republikës së Kosovës është mbi çdo interes privat.

Me pak fjalë

Rozeta Hajdari mbrohet kundër akuzave për largimin e kontrollit në tregun e naftës, duke theksuar se reformat kanë rritur kontrollin, sigurinë dhe transparencën. Ajo pretendon se sulmet kundër reformave vijnë nga grupe që kanë përfituar nga mungesa e rregullave dhe se institucioni ka ndërmarrë masa për të garantuar standarde evropiane.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.