Telekom Serbia gati për të hy në krejt Kosovën, drejtori Luçiq i shpallur “non grata”: Po na pengon Qeveria Kurti

Telekom Serbia gati për të hy në krejt Kosovën, drejtori Luçiq i shpallur “non grata”: Po na pengon Qeveria Kurti

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim që shefi i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, të shpallet person i padëshirueshëm (“non grata”) në Republikën e Kosovës, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, qëndrimin dhe kalimin transit në territorin e vendit.

Vendimi vjen në kohën kur Luçiq ka deklaruar se Telekom Serbia synon të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, por se, sipas tij, kjo po pengohet nga qeveria aktuale e Kosovës.

“Do të shtrihemi në tërë Kosovën, por po na pengon qeveria aktuale e saj”, ka thënë Luçiq.

Lidhur me këtë deklaratë, hulumtuesi i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesori, doktor Gurakuç Kuçi, ka paralajmëruar për rritjen e infiltrimit të Serbisë në jetën politike dhe institucionale të Kosovës.

Kuçi e ka cilësuar deklaratën e Luçiqit si një dëshmi të qartë të asaj që ai e konsideron pjesë të luftës hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

“Në Kosovë pritet rritja e infiltrimit të Serbisë në jetën politike dhe institucionale. Kjo veprimtari në kuadër të luftës hibride thuhet qartazi nga drejtori i Telekom Serbisë, Vladimir Luçiq, i cili, në një intervistë për mediat serbe, pasi u kthye nga SHBA-ja, deklaroi se ekspansioni i tyre në gjithë Kosovën do të realizohet pasi të rrëzohet qeveria aktuale. Synimi i tyre i hapur është të bëhen telefonia kryesore në Kosovë, duke marrë edhe klientelën shqiptare.

Pikërisht, edhe me datë, një vit më parë paralajmërova se Telekom Serbia është një strukturë shtetërore që përdoret për kontroll, manipulim, frikësim dhe ndërhyrje të thellë në jetën institucionale të Kosovës dhe të rajonit. Sot nuk është më vetëm një vlerësim analitik. Vetë drejtori i Telekom Serbisë po deklaron publikisht synimin për t’u shtrirë në gjithë Kosovën, duke e lidhur realizimin e këtij ekspansioni edhe me ndryshimet politike në Prishtinë”, ka thënë ai.

Sipas Kuçit, zgjerimi i Telekom Serbisë në rajon është pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit, të cilën ai e lidh me konceptin e “Botës Serbe”.

“Kjo strategji është pjesë e pashkëputur e shtrirjes së “Botës Serbe”, ku përmes sektorit të telekomunikacionit synohet kapja e rajonit ku Serbia tashmë ka ose kërkon të ndërtojë prani.

Në Mal të Zi, Telekom Serbia hyri menjëherë pas pavarësisë, më 2007, dhe sot zotëron drejtpërdrejt 51 për qind të aksioneve përmes MTEL Podgorica, ndërsa 49 për qind të tjera mbahen nga MTEL Banja Luka, kompani e kontrolluar po nga Telekom Serbia.

Në Bosnjë e Hercegovinë, ajo kontrollon rreth 65 për qind të Telekom Srpske/MTEL Banja Luka, ndërsa në Maqedoninë e Veriut mori licencën në korrik 2021 përmes MTEL-it, duke nisur me shërbime televizive për t’u zgjeruar në telefoninë mobile në vitin 2022.

Edhe tentativat e dështuara tregojnë të njëjtën agjendë ekspansioniste: në vitin 2018, oferta e saj prej rreth 60 milionë eurosh për blerjen e Telekom Albania-s u bllokua nga qeveria shqiptare për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, ndërsa në Kosovë oferta prej 155 milionë eurosh për blerjen e IPKO-s, më 2020, dështoi të realizohej.

Brenda Kosovës, përmes MTS d.o.o., 100 për qind në pronësi të Telekom Serbisë, janë blerë operatorë kabllorë si VGN Net dhe HERC International, duke konsoliduar praninë e saj në zonat me shumicë serbe./Bota Sot


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.