Hamza: Ligjin për Hagën e bëmë për drejtësi, jo për t’u pëlqyer

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar angazhim të përbashkët institucional dhe politik për mbrojtjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në procesin gjyqësor në Hagë.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Hamza tha se, ndonëse vendi i është rikthyer normalitetit institucional, sfidat që lidhen me procesin në Hagë kërkojnë vendosmëri politike dhe përgjegjësi shtetërore.
Ai falënderoi deputetët për miratimin e rezolutës me 99 vota dhe të ligjit me 88 vota, përmes të cilit, sipas tij, synohet të rikthehet mandati i Dhomave të Specializuara në binarët e përcaktuar nga Kuvendi.
“Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale”, deklaroi Hamza.
Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të miratojë ligje që i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e vlerave të vendit, të së vërtetës historike dhe të luftës çlirimtare.
Sipas Hamzës, shqetësimi duhet të përqendrohet te pretendimet për padrejtësi në procesin gjyqësor në Hagë dhe te respektimi i të drejtave të njeriut, e jo te nismat ligjore të Kuvendit.
Hamza u shpreh gjithashtu se presioni ndaj ushtrimit të mandatit të Kuvendit është i papranueshëm, duke shtuar se pret që ligji i miratuar të procedohet për dekretim brenda afatit ligjor.
Ai kërkoi që edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ta përdorë autoritetin e saj për të komunikuar me partnerët ndërkombëtarë dhe për të shpjeguar kontekstin historik të luftës së UÇK-së.
Hamza bëri të ditur se, pas takimit të tij me kryeministrin Albin Kurti, është miratuar themelimi i grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore për mbrojtjen e UÇK-së në fazën e apelit.
“Ky është një hap i mirë, por tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet. Na duhet një strategji e mirëfilltë shtetërore me përgjegjësi të qartë, afate konkrete dhe rezultate të matshme që udhëhiqen nga interesi afatgjatë i shtetit tonë”, tha ai.
Në fund, Hamza theksoi se mbrojtja juridike në gjykatë dhe mbrojtja e së vërtetës historike në arenën ndërkombëtare janë dy detyra të ndryshme, por që duhet të zhvillohen në mënyrë të koordinuar.
Ai shtoi se ekipet mbrojtëse duhet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale, ndërsa shteti duhet të sigurojë mbështetjen e nevojshme institucionale dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve të tij.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



