Kirurgu i spitalit universitar në Lozanë pezullohet për falsifikim të dokumenteve

Një kirurg i lartë në Spitalin Universitar të Lozanës (CHUV) është pezulluar nga detyra dhe është denoncuar pranë autoriteteve, pasi dyshohet se ka falsifikuar raporte mjekësore.
Sipas transmetuesit zviceran RTS, mjeku kishte vendosur emrin e tij si kirurg kryesor në disa raporte operative, edhe pse nuk kishte qenë i pranishëm gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Rastet lidhen me Departamentin e Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive, i cili është angazhuar në trajtimin e pacientëve me djegie të rënda pas tragjedisë në Crans-Montana.
CHUV ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një numër të kufizuar raportesh dhe se informacioni tjetër në dokumentet mjekësore besohet të jetë i saktë. Drejtoresha e përgjithshme e spitalit, Claire Charmet, theksoi se cilësia e trajtimit të pacientëve nuk është vënë në pikëpyetje, pasi ndërhyrjet janë kryer nga mjekë specialistë kompetentë.
Sipas saj, regjistrimi i gabuar i emrit të kirurgut mund të kishte ndikim edhe në faturimin e ndërhyrjeve, por CHUV ka bllokuar faturimin e rasteve përkatëse.
Spitali e ka referuar rastin në Prokurorinë e Kantonit Vaud. Prokuroria ka konfirmuar pranimin e denoncimit dhe ka nisur shqyrtimin e dokumenteve për të përcaktuar nëse ka elemente të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve në ushtrimin e funksioneve publike.
Kirurgu, i kontaktuar nga RTS, nuk ka pranuar të komentojë mbi akuzat, duke deklaruar se është në dispozicion të drejtësisë.
Deri në përfundimin e procedurave, ai gëzon prezumimin e pafajësisë.
The post Kirurgu i spitalit universitar në Lozanë pezullohet për falsifikim të dokumenteve appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



