Hamza viziton familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi: Nuk jeni vetëm, do të angazhohemi deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar sot familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hamza ka thënë se gjatë vizitave i ka siguruar familjet se nuk janë vetëm dhe se mbështetja ndaj tyre do të vazhdojë.
Kreu i PDK-së ka thënë se dhimbjen e familjeve e ndan edhe populli i Kosovës.Hamza ka theksuar se do të vazhdojnë angazhimin për drejtësi dhe për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.
“Sot isha për vizitë në familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, pas vendimit të rëndë, të padrejtë dhe të pabazuar në Hagë. I sigurova se nuk janë vetëm dhe se nuk do të jenë kurrë.
Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë.
Jemi krenarë për ta, për luftën tonë për liri dhe për gjithçka që ata përfaqësojnë në historinë dhe shtetin tonë.
Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë” shkruan Hamza.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



