“Jemi krenarë me Xhakën që luan për Zvicrën, pse të mërzitemi për Brrutin që luan për Shqipërinë”

Duka e ka përmendur edhe kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën. Ka paralajmëruar se Brruti do të jetë me Kombëtaren A të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Anglisë The post “Jemi krenarë me Xhakën që luan për Zvicrën, pse të mërzitemi për Brrutin që luan për Shqipërinë” appeared first on Albinfo.

“Jemi krenarë me Xhakën që luan për Zvicrën, pse të mërzitemi për Brrutin që luan për Shqipërinë”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se të gjithë futbollistët shqiptarë do ta kenë të hapur derën për të luajtur për Shqipërinë.

Së fundi, kapiteni i Kosovës U21, Etnik Brruti, ka lëvizur në drejtim të Shqipërisë, ndërsa për këtë kishte komente e vlerësime të shumta. Madje edhe fyerje ndaj lojtarit. Derisa në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë zgjedhur heshtjen, presidenti i FSHF-së ka paraqitur qëndrimin e tij.

Duka ka dhënë një intervistë për një podkast, kurse përgjigjet e tij janë paraqitur të mërkurën në sajtin zyrtar të FSHF-së. Ai fillimisht është pyetur për ndikimin e lojtarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në Kombëtaren e Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

“Kanë qenë gjithmonë vlerë e shtuar për ne, të gjithë futbollistët e diasporës. Kanë dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren. Ne kemi hapur dyert e Kombëtares më herët se 2015, por pas 2015 në një numër më të madh. Ka pasur futbollistë me kualitet. Ka ndikuar pozitivisht dhe vijon të ndikojë pozitivisht. Ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë këtë politikë dhe të mbyllim derën për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ka shpesh diskutime, kritika, por ne do ta vazhdojmë këtë lloj politike, me derë të hapur për këdo që dëshiron të luajë dhe pa dyshim që e meriton të luajë”, ka thënë Duka.

Më pas është pyetur konkretisht për rastin e Brrutit, lojtarit të Malishevës.

“Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne”, ka vazhduar Duka të mbrojë qëndrimin e tij dhe duke paralajmëruar njëkohësisht kalimin te Shqipëria edhe të futbollistëve të tjerë cilësorë.

Për marrëdhënien me FFK-në, Duka ka thënë se është vëllazërore.

Në aspektin sportiv, Duka i kupton të gjithë tifozët e Kosovës që reaguan për largimin e Brrutit. E ka përmendur edhe kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën. Ka paralajmëruar se Brruti do të jetë me Kombëtaren A të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Anglisë.

“Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse secili vendos për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë”.

Duka ka theksuar se qëllimi i Brrutit është të luajë për Shqipërinë e jo me pasaportë të Shqipërisë të sigurojë transferim në Rusi, siç janë bërë disa interpretime në Kosovë. Presidenti i FSHF-së ka pranuar se Brrutin nuk e ka parë asnjëherë dhe nuk e njeh.

“Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, por pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Evropian U-21 2027. Nëse vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla. Çfarë i ofron Brruti Sylvinhos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht”, ka theksuar Armand Duka.

Nga Kosova U21 si kapiten në të kaluarën në drejtim të Shqipërisë ishte larguar edhe Ardian Ismajli. Kapiten ishte edhe Edvin Kurtulush që iu bashkua Suedisë.

Më pas nisi një valë e re e largimeve. Arbër Hoxha, Mirlind Daku, Arbnor Muja ishin treshja e radhës për të cilët u diskutua shumë në Kosovë. Hoxha dhe Daku kanë shfaqur nivel më të lartë dhe ishin edhe pjesë e Evropianit të vitit të kaluar në Gjermani me Shqipërinë. Përveç tyre nga Kosova janë larguar për arsye të ndryshme edhe Adrion Pajaziti, Medon Berisha e Dion Berisha. Edhe këta janë vlerësuar me potencial për Kosovën A, por vendosën të largoheshin.

Lista e lojtarëve që më herët kanë luajtur te Kosova dhe janë larguar është e gjatë.

The post “Jemi krenarë me Xhakën që luan për Zvicrën, pse të mërzitemi për Brrutin që luan për Shqipërinë” appeared first on Albinfo.