Çka tha Kallas pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin?

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar avancim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në platformën X, Kallas ka theksuar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian duhet të ecin paralelisht.
“U takova sot me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti dhe ngrita nevojën për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht”, ka shkruar Kallas.
Ajo ka theksuar se marrëveshjet e arritura përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë obliguese.
“Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale. BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetës i paanshëm. Por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha të ecet përpara”, ka deklaruar Kallas.
Çka tha kryeministri Albin Kurti pas takimit?
Pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se me Kallas ka diskutuar, ndër të tjera, edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas deklarimit të Kurtit, gjykimi nuk ka përfunduar dhe Kosova do të angazhohet që procesi dhe verdikti të korrigjohet në shkallën e apelit.
Ai e përshkroi luftën e UÇK-së si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve nga Serbia, ndërsa tha se shumë krime të forcave serbe ende nuk janë ndëshkuar.
Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai tha se shqiptarët atje përballen me “nënpërfaqësim të theksuar në institucione”, si dhe me atë që e cilësoi si “spastrim etnik administrativ me heqjen e adresave”.
Në fund, Kurti theksoi se Kosova mbetet e përcaktuar për integrimin evropian dhe euroatlantik, duke kërkuar që BE-ja t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Kurti ka ngritur gjithashtu çështjen e sulmit të armatosur në Banjskë, duke kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Cfarë ka thënë Vuçiq pas takimit?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq, e ka përshkruar takimin me Kallasin si “të hapur dhe të sinqertë”, por jo të lehtë.
Sipas raportimit të mediumit serb Danas, Vuçiq ka thënë se në takim janë diskutuar një sërë çështjesh, nga Ratko Mlladiqi deri te situata në Kosovë dhe zbatimi i obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit.
“Patëm një bisedë të hapur dhe të sinqertë, jo të lehtë. Nga të gjitha temat, nga gjenerali Mladiq deri te situata në Kosovë dhe përmbushja e normave nga Marrëveshja e Brukselit – për të cilën unë insistova, veçanërisht për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Vuçiq, shkruajnë mediat serbe.
Kështu, derisa Kallas ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të dialogut dhe ka theksuar karakterin obligues të Marrëveshjes së Ohrit, Kurti ka ngritur çështjen e aktgjykimit të Speciales dhe përgjegjësisë për sulmin në Banjskë, ndërsa Vuçiq ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



