Kapet kosovari në Kroaci, po tentonte të kontrabandonte të 43 orë të dorës

Kapet kosovari në Kroaci, po tentonte të kontrabandonte të 43 orë të dorës

Zyrtarët doganorë të Zyrës Doganore Kufitare Karasoviçi kanë parandaluar tentativën për futjen e paligjshme të 43 orëve të dorës në territorin e Bashkimit Evropian.

Sipas mediave kroate, automjetin në të cilin u gjetën orët po e ngiste një shtetas i Kosovës me leje qëndrimi në Kroaci.

“Gjatë zbatimit të masave të shtuara të kontrollit doganor në trafikun e udhëtarëve, në hyrje të territorit doganor të Bashkimit Evropian është kontrolluar një automjet me targa kroate, të cilin e drejtonte një shtetas i Republikës së Kosovës me leje qëndrimi në Republikën e Kroacisë”.

“Gjatë kontrollit të automjetit, në një valixhe udhëtimi në ulësen e pasme janë gjetur 43 orë të dorës të padeklaruara, të markave të ndryshme”, njoftoi Administrata Doganore e Kroacisë, transmeton Klankosova.tv.

Për shkeljen e kryer, drejtuesit të automjetit i është lëshuar urdhër kundërvajtës dhe i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 6 mijë eurosh.

Gjithashtu, është marrë masa e konfiskimit të mallrave që janë objekt i kundërvajtjes.

“Duke pasur parasysh dyshimin e bazuar se në mallrat në fjalë janë vendosur pa autorizim shenjat dalluese të markave të mbrojtura tregtare, përkatësisht pa miratimin e bartësve të të drejtave, procedura e mëtejshme është në zhvillim e sipër”, është thënë në njoftimin e Administratës Doganore. /Klankosova.tv


Burimi i lajmit: klankosova.tv
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.