Kasami në tubimin përmbyllës të Jakup Huseinit: Koha e tyre ka mbaruar, të dielën do ta marrin përgjigjen e popullit

Kasami në tubimin përmbyllës të Jakup Huseinit: Koha e tyre ka mbaruar, të dielën do ta marrin përgjigjen e popullit

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në tubimin përmbyllës të kandidatit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, ka deklaruar se epoka e BDI-së ka përfunduar dhe se të dielën, më 18 tetor, qytetarët do të japin përgjigjen e tyre përmes votës.

Kasami tha se VLEN-i, ndonëse ka vetëm dy vjet në pushtet, ka realizuar shumë punë, ndërsa kritikoi kundërshtarët politikë për atë që e cilësoi si mungesë të rezultateve gjatë 20 viteve të qeverisjes së tyre.

“VLEN-i ka pushtet veç dy vjet, e mua nuk më mjafton një fjalim për t’i përmendur të gjitha punët që kemi bërë. Mos qofsha në lëkurën e atyre që e tradhtuan besimin e shqiptarëve për 20 vjet, e nuk kanë çfarë të flasin sot para jush”, deklaroi Kasami.

Ai akuzoi kundërshtarët se, në mungesë të rezultateve, po përpiqen ta zhvendosin debatin nga problemet reale, duke përmendur Lotarinë, Soravinë, kazinotë, migrimin dhe gjendjen ekonomike e sociale të shqiptarëve.

“Koha e tyre ka mbaruar. Ajo epokë e trishtimit ka marrë fund”, u shpreh Kasami, duke shtuar se Bërvenica nuk do të përdoret si mjet për rikthimin e kundërshtarëve në pushtet.

Në prag të zgjedhjeve lokale të 18 tetorit, Kasami kërkoi mbështetje për Jakup Huseinin, duke theksuar se fitorja duhet të shërbejë për zhvillimin e komunës, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Për zhvillimin e Bërvenicës. Për rininë e Bërvenicës. Për Jakupin, për të rinjtë e të rejat tona të ndershëm e të shkolluar. Për familjen, për drejtësinë. Për mirëqenien, punën dhe investimet”, tha Kasami.

Ai e përmbylli fjalimin me thirrjen për mobilizim në ditën e votimit, duke u shprehur i bindur për fitoren e Jakup Huseinit në garën për Komunën e Bërvenicës.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.