Kitanoviqi fshiu postimin për Mlladiqin dhe kërkon falje, VLEN në Qeveri reagoi dhe kërkoi përgjegjësi

Kitanoviqi fshiu postimin për Mlladiqin dhe kërkon falje, VLEN në Qeveri reagoi dhe kërkoi përgjegjësi

Pas reagimit të ashpër të VLEN-it në Qeveri ndaj glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, po atë ditë e ka fshirë postimin e diskutueshëm nga rrjetet sociale dhe ka kërkuar falje.

Kjo bëhet e ditur nga Qeveria duke theksuar se çështja është ngritur në nivel ministrash.

Reagimet e ashpra kanë bërë që Kitanoviq, sot të dal me një deklarate, duke thënë se i kërkon falje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrave që, sipas tij, janë përfshirë në një përplasje politike për shkak të këtij rasti. Ai shprehet i gatshëm të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, por mohon se ka pasur ndonjëherë qëllim të ofendojë apo poshtërojë ndonjë popull, fe apo komunitet etnik.

Postimi i tij kishte përmbajtur një fotografi ku Ratko Mlladiq paraqitej së bashku me figura të historisë serbe, mes tyre edhe Drazha Mihajlloviq, me mbishkrimin „Gjeneralët e ushtrisë qiellore“.

„Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi për çdo fjalë timen. Por nuk do të mbaj përgjegjësi për manipulimet e të tjerëve me fjalët e mia. Nuk do të pranoj që tërheqja e postimit tim të shndërrohet në pranim të diçkaje që nuk e kam bërë“, ka shkruar Kitanoviq.

Ai shton se nuk do të lejojë që mirësjellja e tij njerëzore të interpretohet si dobësi dhe se nuk do të lejojë që përmes tij të ofendohet as populli dhe as partia e tij.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.