Konfirmohet vdekja e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë, QKUK jep detaje

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) njofton se, më datë 15.09.2026, është regjistruar rasti i parë i vdekjes së një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV).
Sipas QKUK, “Pacienti Rr. I., i lindur më 02.05.1960, është hospitalizuar në Klinikën Infektive më datë 10.09.2026, me diagnozën meningoencephalitis acuta, në gjendje të rëndë klinike”.
QKUK thekson se para hospitalizimit, pacienti ishte trajtuar në mënyrë ambulatore për pesë ditë.
“Në ditën e hospitalizimit janë realizuar ekzaminimet e nevojshme diagnostike dhe është iniciuar menjëherë trajtimi konform gjendjes së tij klinike, si dhe janë realizuar konsultat përkatëse”, vijon njoftimi
“Në kuadër të ekzaminimeve laboratorike të kërkuara është realizuar edhe analiza RT-PCR për Virusin e Nilit Perëndimor (WNV), e cila ka rezultuar pozitive”, vijon njoftimi.
Gjendja shëndetësore e pacientit ka vazhduar të jetë tejet e rëndë, duke kërkuar trajtim intensiv, thekson QKUK.
“Gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë të gjitha masat dhe procedurat e nevojshme mjekësore, si dhe është vazhduar trajtimi medikamentoz konform gjendjes klinike. Përkundër të gjitha përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit të ofruar, pacienti ka përfunduar me exitus letalis, në orën 08:40 të datës 15.09.2026”, thuhet në njoftim.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



