Konjufca në New York: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi

Konjufca në New York: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), të mbajtur në New York.Në këtë ngjarje, ku ishin të pranishëm përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq të komunitetit shqiptar dhe personalitete nga jeta publike, Konjufca ka vlerësuar kontributin e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën.Ai tha se veprimtarët, shoqatat dhe organizatat shqiptare në SHBA kanë punuar për dekada për çështjen shqiptare dhe për ndërgjegjësimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për Kosovën.“Kontributi i mërgatës shqiptare në Amerikë qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”- tha Konjufca më 25.09.2026.Duke folur për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, Konjufca e ka cilësuar vendimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së si “padrejtësi”.Sipas tij, kjo çështje shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek, siç tha, kauzën për çlirim dhe liri.“Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja”- tha ai.Konjufca foli edhe për nevojën e stabilitetit institucional dhe demokratik në Kosovë, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe reflektim.Ai tha se interesi shtetëror dhe kombëtar duhet të vendoset mbi interesat e ngushta partiake.“Në një kohë sfidash të mëdha, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve mbeten thelbësore”- tha Konjufca.Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan nga Gjykata Speciale më 16.09.2026. Ky dënim po përcillet me protesta të përditshme në Kosovë.Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.Ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.