Kosova përballet me një su*lm të dytë kibernetik, ekspertët dyshojnë se erdhi nga rusët
Kosova po përballet me një valë të re sulmesh kibernetike të koordinuara, për të cilat dyshohet se qëndrojnë pas grupe hakerësh me origjinë ruse dhe me përkrahje të mundshme nga vet shteti rus. Sulmet kanë zgjatur për tri ditë radhazi, ndërsa sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, ato lidhen ngushtë me qëndrimin politik të Kosovës ndaj

Kosova po përballet me një valë të re sulmesh kibernetike të koordinuara, për të cilat dyshohet se qëndrojnë pas grupe hakerësh me origjinë ruse dhe me përkrahje të mundshme nga vet shteti rus.
Sulmet kanë zgjatur për tri ditë radhazi, ndërsa sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, ato lidhen ngushtë me qëndrimin politik të Kosovës ndaj agresionit rus në Ukrainë.
Studiuesi i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka njoftuar për një sulm të dytë kibernetik, i cili kësaj radhe ka pasur në shënjestër mediat vendore. “Ashtu siç paralajmërova, grupet e hakerëve rusë, të përkrahura nga vet shteti, kanë nisë valën e dytë të sulmeve. Tash target i patën mediat”, shkroi ai, duke theksuar se sulmet u kryen përmes metodës DDoS, duke tentuar bllokimin e faqeve që kishin raportuar për sulmet e mëhershme.Institucionet më të goditura nga sulmi i parë përfshijnë Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Zyrën e Presidentes, Kuvendin e Kosovës, si dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Megjithatë, Ministria e Brendshme ka bërë të ditur për Tv Dukagjinin se nuk ka pasur ndërprerje të shërbimeve, pasi sistemet mbrojtëse kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë qasjet e paautorizuara.
Sipas Berishës, këto sulme janë një paralajmërim serioz dhe duhet të marrin përgjigjen e duhur nga institucionet vendore.
Ai thekson nevojën për një CERT më funksional, për krijimin e një autoriteti për menaxhimin e domeneve kombëtare, si dhe për investime në edukim dhe inteligjencë artificiale që nga arsimi parauniversitar.
Ndërkohë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e cilëson situatën si pasojë të mospërgatitjes institucionale, për shkak të vonesës në themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, e cila ishte paraparë të krijohej që nga viti 2023. Drejtori i QKSS-së, Mentor Vrajolli, ka theksuar se mungesa e koordinimit mes institucioneve vetëm sa e ka rritur cenueshmërinë e Kosovës në këtë fushë.
Përveç institucioneve shtetërore, sulmet kanë prekur edhe kompani private si KEDS-i, çka shton më tej shqetësimin për përhapjen dhe ndikimin e tyre.
Në një kohë kur sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të motivuara politikisht, Kosova përballet me domosdoshmërinë urgjente për ngritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse në fushën e sigurisë digjitale./Telegrafi/