Krasniqi: Aktgjykimi i Kushtetueses duhet të zbatohet menjëherë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetues themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në një deklaratë publike, Krasniqi theksoi se me këtë vendim, Kushtetuesja ka dhënë qartësi të plotë se zgjedhja e kryetarit

Krasniqi: Aktgjykimi i Kushtetueses duhet të zbatohet menjëherë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetues themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në një deklaratë publike, Krasniqi theksoi se me këtë vendim, Kushtetuesja ka dhënë qartësi të plotë se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Ai theksoi se rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë ligjore.

“Gjatë tërë kësaj kohe, Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet. Kemi ofruar zgjidhje, jo bllokim. Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale”, deklaroi ai.

Krasniqi shtoi se PDK-ja ka përkrahur me ekspertizë dhe është bashkuar me iniciativën e AAK-së për sqarim kushtetues, duke besuar se demokracia mbrohet përmes ligjshmërisë dhe transparencës.

Ai akuzoi koalicionin VV-Guxo-Alternativa për, siç u shpreh, “lojë të qëllimshme”, duke thënë se vendimi i Gjykatës i ka dhënë fund përpjekjeve për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit.

“Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin. PDK do të vazhdojë të jetë pjesë e zgjidhjes edhe më tej. Urojmë që edhe palët e tjera të veprojnë në të njëjtin frymë. Mjaft kohë është humbur – tani t’i japim epilog kësaj çështjeje”, përfundoi Krasniqi.