Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Hap serioz prapa në rrugën drejt BE-së

Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen: Hap serioz prapa në rrugën drejt BE-së

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kundërshtuar ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe duke paralajmëruar se miratimi e zbatimi i tyre do të përbënin hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në platformën X, Kos ka bërë të ditur se ka diskutuar me kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj, për procesin e integrimit evropian të vendit.

Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe në Planin e Rritjes, si dhe drejt përfshirjes në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Megjithatë, komisionerja evropiane ka theksuar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Kos.

Ajo ka theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore janë thelbësore për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Sipas saj, këto parime janë të domosdoshme për përgatitjen e hapave të ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.