Lidhja Shqiptare në Botë përtërin radhët e veta
LSHB është në vlugun e punëve për të bërë përtëritjen e radhës, në prag të kuvendeve të degëve që pritet të mbahen në muajt në vijim The post Lidhja Shqiptare në Botë përtërin radhët e veta appeared first on Albinfo.

Organizata e njohur atdhetare Lidhja Shqiptare në Botë, e themeluar para afër 30 vitesh synon të bashkojë potencialin krijues gjithëkombëtar në emancipimin e përgjithshëm politik, ekonomik, shoqëror, gjuhësor, kulturor e shpirtëror kombëtar.
Lidhja Shqiptare në Botë gjithë veprimtarinë e vet e zhvillon drejt integrimit të plotë të kombit shqiptar në qytetërimin perëndimor dhe në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të entitetit dhe identitetit etnopolitik, drejt bashkimit kombëtar.
Në përpjekjet për t’u përballë me këto dy sfida të mëdha historike të kombit shqiptar, Lidhja Shqiptare në Botë përqendron veprimtarinë e vet veçanërisht në ato fusha të veprimit, të cilat i kontribuojnë çështjes kombëtare shqiptare dhe zgjidhjes së drejtë dhe të plotë të saj.
Lidhja Shqiptare në Botë angazhohet që çështja shqiptare të vështrohet, të shtrohet dhe të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të plotë mbi bazën e së drejtës së vetëvendosjes dhe të bashkimit kombëtar, si e drejtë e natyrshme universale edhe kombëtare.
Për të qenë në lartësi të detyrave që i ka parashtruar vetes, ajo në vazhdimësi bën përtëritjen e rrjetit të saj organizativ, që është i shtrirë në shumë vende të botës.
Aktualisht LSHB është në vlugun e punëve për të bërë përtëritjen e radhës, në prag të kuvendeve të degëve që pritet të mbahen në muajt në vijim. Për këtë arsye, kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, z. Nazmi Jakurti u është drejtuar me një njoftim përfaqësive të LSHB-së në të gjitha shtetet ku ajo vepron me një letër ku bën të ditur zhvillimet e pritshme brenda Lidhjes. “Pas një përgatitjeje të gjatë dhe konsultimeve intensive me secilin kandidat veç e veç, kam kënaqësinë t‘ua prezantoj disa personalitete të propozuar nga unë si Kryetar i LSHB dhe të nominuar nga Kryesia, në takimin e Tiranës me 06.12.2024, të cilët do të autorizohen për të organizuar mbajtjen dhe udhëheqjen e Kuvendeve të LSHB në vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Të gjitha Kuvendet duhet të mbahen para datës 30 qershor të vitit 2025!”, thuhet në letrën e z. Jakurti.
Në vazhdim, lista e kandidatëve të propozuar nga kryesia e LSHB, sipas vendeve që përfaqësojnë.
ZVICËR: Dr. med. Fatime Imeri Berisha e shkolluar në Kosovë, Zvicër dhe në Amerikë, MSc. in Life Sciences (UZH), EMBA (UZH), mjeke, afariste e suksesshme dhe pilote, Zürich CH. e njohur edhe për aktivitetin e saj të veçantë në komunitetin shqiptar të Zvicrës.
AUSTRI: Prof.Dr.med.dent. Lumnije Kqiku, ligjëruese në Universitetin mjekësor të Graz-it, Austri. Dr. Kqiku bart një bagazh të rrallë shkencor dhe arsimor dhe është vlerësuar me çmime të larta shkencore, në Austri dhe në botë.
BELGJIKË: Meliss M. Hoti, e bija e Heroit tonë kombëtar, Musa (Daut) Hoti, nëpunëse në Departamentin e HR në Komunën e Brukselit (Belgjikë). E angazhuar në çështjen kombëtare shqiptare.
BRITANI E MADHE: Dr Rudina Jasini, studiuese dhe lektore e së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit. Avokate e Mbrojtjes në Gjykatën Speciale të Kosovës.
KOSOVË: Dajana Berisha. Ka mbaruar studimet në Shqipëri, Master në Britani të Madhe dhe specializime në Harward. Drejtoreshë e Forumit për Iniciativë Qytetare (FIQ) në Prishtinë, RKS.
FRANCË: Përparim Nishori – Pino, jurist dhe ndërmarrës i suksesshëm. Është i specializuar në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, industrisë së dritareve, tregtisë online dhe këshillimit strategjik për investime. Me bazë në Mulhouse, Francë, ai ka ndërtuar një karrierë të suksesshme duke kombinuar ekspertizën juridike dhe menaxheriale për të krijuar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme në fusha të ndryshme biznesi.
Udhëheqja e LSHB
Lidhja Shqiptare në Botë drejtohet nga një strukturë organizative, me personalitetet në vijim:
Z. Simon Kuzhnini, Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, bashkëthemelues i saj
Nazmi Jakurti, Jurist & Mediator, MAS IK Universität Luzern, Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë
Fehmi Fetahi Kryetar i Këshillit Kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Botë, Afarist i suksesshëm në Zvicër dhe në Kosovë
Ylber Durmishi, sekretar i përgjithshëm Lidhjes Shqiptare në Botë
Dy këshilltarë te rinj profesionalë
Në takimin e datës 06.12.2024 në Tiranë u emëruan edhe dy këshilltarë të Kryesisë së LSHB
Këshilltar për Ekonomi: Prof. Dr. Driton Balaj, Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, RKS
Këshilltare për gjeopolitikë: Prof. Dr. Drita Shaqiri, ligjëruese në disa kolegje dhe anëtare e Institutit për Gjeopolitikë në Prishtinë, RKS
The post Lidhja Shqiptare në Botë përtërin radhët e veta appeared first on Albinfo.