“Lotaria” në gjykatë: Prokuroria nxjerr mbi 200 prova kundër Grubit dhe të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka vazhduar sot gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, dhe gjashtë persona të tjerë.
Në seancën e sotme, Prokuroria Publike ka nisur prezantimin e një numri të madh provash materiale. Në mesin e dokumenteve të paraqitura janë kontratat për themelimin e shoqërisë së përbashkët me partner të huaj, vendime të Qeverisë, dokumente për investime dhe transaksione financiare që lidhen me blerjen e terminaleve të videolotarisë (VLT).
Prokuroria ka paraqitur edhe kontratat për investimin e përbashkët dhe themelimin e kompanisë “Lotaria Shtetërore e Videove të Republikës së Maqedonisë – Casinos Austria DOO Shkup”, të lidhura në vitin 2013.
Në mesin e provave është edhe një njoftim i partnerit të huaj drejtuar Qeverisë në vitin 2022, në të cilin shprehen shqetësime lidhur me sigurinë juridike dhe mënyrën e trajtimit të së drejtës për organizimin e lojërave elektronike të fatit.
Në gjykatë janë prezantuar gjithashtu Programi i Punës i Lotarisë Shtetërore për vitin 2023, një kontratë shërbimi, si dhe një ekspertizë për vlerën dhe leverdishmërinë e investimit në terminalet e videolotarisë.
Prokuroria është ndalur edhe te dokumentet që lidhen me seancën e 158-të të Qeverisë, të mbajtur më 6 qershor 2023, përfshirë rendin e ditës, procesverbalet, konkluzionet dhe vendimin për miratimin e punës së Bordit Drejtues të Lotarisë, si dhe opinionin e Ministrisë së Financave.
Si prova materiale janë paraqitur edhe urdhërpagesa në valutë, ekstrakte bankare, karta analitike për kompanitë “Eurogames Technology”, “Sinot” dhe “Shpedicija MKD”, si dhe dokumentacion lidhur me faturat, llogaritë dhe dërgesat e pajisjeve të blera.
Sipas Prokurorisë, dokumentacioni financiar i analizuar nga eksperti lidhet me llojin dhe sasinë e pajisjeve të dorëzuara, çmimet e tyre, mënyrën e faturimit dhe pagesat e kryera nga Lotaria Shtetërore për blerjen e terminaleve VLT.
Nga ana tjetër, avokati i të akuzuarit Bojan Janev, Jordan Apostolski, e cilësoi aktakuzën si të dobët, të paqartë dhe kontradiktore. Sipas mbrojtjes, dokumentet e paraqitura deri tani tregojnë se anëtarët e Bordit Mbikëqyrës kanë vepruar me udhëzime dhe pëlqim paraprak të Qeverisë, duke mbrojtur interesin shtetëror.
Apostolski tha gjithashtu se, sipas interpretimit të mbrojtjes, Lotaria Shtetërore kishte të drejtë ligjore të organizonte lojëra të fatit në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me shoqëri të tjera.
Në këtë rast, përveç Grubit dhe Bajramit, të akuzuar janë edhe Bashkim Avdiu, Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski. Prokuroria i akuzon për tejkalim të kompetencave zyrtare dhe shkaktim të dëmit ndaj Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 596.125.511 denarësh, rreth 9.7 milionë euro.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza përfaqësohet nga prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ndërsa procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



