Matematika e zorshme e Kurtit për formimin e Qeverisë së re

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova ka hyrë në një fazë të re politike, ku subjektet politike po i kalkulojnë numrat e nevojshëm në Kuvend për formimin e Qeverisë së re. Sipas rezultatit zgjedhor të dielës së kaluar, asnjë subjekt politik i vetëm nuk do të mund t’i siguroj 61 votat e nevojshme

Matematika e zorshme e Kurtit për formimin e Qeverisë së re

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova ka hyrë në një fazë të re politike, ku subjektet politike po i kalkulojnë numrat e nevojshëm në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

Sipas rezultatit zgjedhor të dielës së kaluar, asnjë subjekt politik i vetëm nuk do të mund t’i siguroj 61 votat e nevojshme në Kuvend, duke i detyruar të bëjnë koalicione.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka dalë subjekti i parë politik, e cila pritet t’i ketë 46 apo 47 deputetë në legjislaturën e ardhshme. Kësaj të fundit nuk i mjaftojnë as 10 votat e komuniteteve jo serbe për ta formuar Qeverinë, përderisa janë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me Listën Serbe e cila me shumë gjasë do t’i ketë 9 deputetë në legjislaturën e re.

Në anën tjetër, tri subjektet politike opozitare, PDK, LDK, AAK pritet t’i kenë 54 deputetë në Kuvend, përkatësisht 25 deputetë PDK-ja, 20 LDK-ja dhe 9 AAK-ja.

Para formimit të Qeverisë, së pari duhet konstituuar Kuvendi, ku subjektit të parë politik, Lëvizjes “Vetëvendosje” me Kushtetutë i takon kryeparlamentari.

Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Konstituimi i Kuvendit nuk ka afat të saktë ligjor

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka dhënë një deklaratë lidhur me procedurën e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ai ka theksuar se pas certifikimit të mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duhet të kalojnë maksimalisht 30 ditë për thirrjen e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nga presidentja.

‘’Prej momentit që certifikohen mandatet duhet të kalojnë maksimumi 30 ditë kur presidentja pastaj e thërret konstituimin e Parlamentit’’, tha Kryeziu për FrontOnline.

Kryeziu ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit përfshin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të pesë zëvendëskryetarëve, ku dy nga ata janë nga minoritetet. Më pas, partia e parë ka obligim ta dërgojë një emër për mandatar, dhe nëse e bën këtë, presidentja i jep mandatin kushtetues për formimin e qeverisë. Nëse qeveria nuk formohet brenda 15 ditëve, atëherë përfshihet partia e dytë ose një person i dytë, dhe presidentja mund të japë një afat tjetër prej 10 ditësh. Nëse edhe ky afat kalon pa formimin e qeverisë, organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme.

‘’ Konsituimi i Parlamentit nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve,  prej tyre dy minoritete. Pastaj partia e parë ka për obligim të dërgojë një emër për mandatar dhe nëse e dërgon emrin pre mandatar presidentja i jep mandate kushtetues 15 ditë për me formu Qeverinë, nëse nuk konstituohet për 15 ditë, atëherë shkon partia e dytë ose personi i dytë. Presidentja ka mundësi një emër tjetër dhe i jep afat 10 ditë nëse brenda 10 dite nuk konstitouhet, atëherë shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme’’, deklaroi Kryeziu.

 

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se procedura e konstituimit të Kuvendit nuk ka një afat të saktë ligjor dhe se kjo mund të shkaktojë vakum ligjor dhe kushtetues. Në momentin kur KQZ certifikon mandatet, sipas Kryeziut presidentja ka detyrë të thërrasë konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.

‘’Konstituimi i Kuvendit nuk dihet sa zgjatë, ka vakum ligjor dhe kushtetues për konstituim. Nënkupton  që përmes kontstituimit zgjidhen Kryesia e kuvendit dhe zgjedhen organet e saj e kështu me radhë’’, përfundoi Kryeziu.

 

Haliti: Interesi i Kosovës nuk është të shkojë sërish në zgjedhje

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar kohën  e zgjatjes së formimit të një Qeverie të re, duke theksuar se gjithçka është e mundur, por në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës. Haliti ka theksuar se interesat e Kosovës kërkojnë që të mos shkohet në zgjedhje të tjera, pasi do të ishte e mundimshme

‘’Gjithçka është e mundshme, tani janë rregullat që i përcakton Kushtetuta e Kosovës ,interesi i Kosovës nuk është të shkojë në zgjedhje prapë, është mundim edhe për qytetarët edhe për vendin edhe për situatën që e kemi’’, tha Haliti për FrontOnline

Haliti  ka shpjeguar se duhen  pritur veprimet e partisë që ka fituar më shumë vota, Lëvizjes Vetëvendosje, nëse munden ata të krijojnë Qeverinë, sepse sipas Halitit, ata kanë të drejtën të zgjedhin kryetarin e kuvendit, pastaj duhet të ndërmerren hapa për gjetjen e votave të mjaftueshme për të formuar një Qeveri.

‘’Por tani duhet të priten veprimet e partisë që ka fituar më së shumti vota, a mundet ta krijojë qeverinë a jo. Ata e kanë të drejtën të zgjedhin kryetarin e kuvendit, pastaj po besoj që duhet me qenë të angazhuar për mundësinë e gjetjes së votave përkatëse, të cilat duhet ta votojnë kandidatin për kryeministër’’, tha Haliti.

Haliti ka thënë se në qoftë se nuk ka mundësi që të krijohet Qeveri e re gjatë mandatit kushtetues, atëherë mund të shkohet në zgjedhje, mirëpo sipas Halitit kjo varet shumë nga bisedat që zhvillohen mes subjekteve politike lidhur me formimin e koalicioneve.

Nexhmedin Spahiu: Albin  Kurti e formon Qeverinë, kjo është punë e kryer

Analisti, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se Albin Kurti ka mundësi ta formojë qeverinë .Sipas tij, Kurti mund të arrijë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë me Vetëvendosjen dhe minoritetet jo-serbe, përfshirë Rashiqin.

Spahiu tha se formimin e qeverisë Kurti  e bën me 61 deputetë, ndoshta edhe me  62 deputetë. Ai theksoi se minoritetet jo-serbe janë tashmë të orientuara drejt Kurtit dhe se ai ka mundësi t’i bindë ata që të bëhen pjesë e Qeverisë dhe se kjo punë është e kryer.

‘’Kurti e bën  Qeverinë  me 61 deputetë,  ka mundësi edhe me 62 e bën, Kurti ‘’kallaj’’ i bind minoritetet që të jenë pjesë e ekzekutivit, kështu që kjo punë është e kryer nuk ka çfarë të  diskutohet ‘’, përfundoi Spahiu.