A ka mbetur njeri t’i dalë zot Kosovës?!

A ka mbetur njeri t’i dalë zot Kosovës?!

Shkruan: Naser Pajaziti

Kosova po rrëshqet në një humnerë të thellë, jo nga armiqtë, por nga vullneti i mbrapshtë i atyre që janë votuar për ta çuar përpara.

Pas tre cikleve zgjedhore, institucionet mbahen peng për shkak të inateve personale, interesave të ngushta klanore dhe lojërave të ulëta partiake.

Kjo është një papërgjegjshmëri totale që po e kthen Kosovën në një sheshbetejë interesash klanore, duke shkelur mbi çdo sakrificë dhe mbi gjakun e derdhur për liri.

Ku janë ata që dikur, në ditët më të errëta, ishin zëri i arsyes dhe udhërrëfyesit e këtij populli?

Ku është Akademia e Shkencave dhe personalitetet me peshë që gëzonin dhe gëzojnë respektin e të gjithëve?
Ku janë ata patriotë, intelektualë e figura kyçe që e dinë se çka do të thotë të luftosh për liri dhe shtet?

A jemi duke pritur që kjo klasë politike ta çojë këtë vend në një humnerë fatale?

Ky nuk është më vetëm një problem politik; kjo është një emergjencë kombëtare! Është koha e një mobilizimi të gjithmbarshëm të qytetarëve, të rinisë, të diasporës dhe të çdo mendjeje të ndritur në këtë tokë.

Mos të lejohet që për teket e disa individëve të humbet e ardhmja e brezave të rinj. Është koha për të thënë mjaft! Kosova është e të gjithëve dhe nuk mund të mbetet peng i inateve të askujt! O sot, o kurrë!


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.