“Kush mendon se mundet të më gjunjëzojë, le ta provojë”, Sami Lushtaku përplaset me Alban Krasniqin e VV-së

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i është kundërpërgjigjur zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, pas deklaratave të këtij të fundit ndaj tij dhe ish-komandantit të UÇK-së, Daut Haradinaj.
Përmes një reagimi në Facebook, Lushtaku ka rikujtuar dënimin me 20 vjet burg në mungesë që, sipas tij, Serbia ia kishte shqiptuar më 11 korrik 1997, nën akuza për terrorizëm.
Ai ka thënë se nuk ishte gjunjëzuar nga Serbia dhe ka kritikuar ata që, sipas tij, po përdorin sot një gjuhë të ngjashme.
“Më 11 korrik 1997, Serbia më dënoi me 20 vjet burg në mungesë, me akuza për terrorizëm. Serbia nuk arriti të më gjunjëzojë asnjëherë. Sot, fatkeqësisht, disa shqiptarë po flasin me të njëjtën gjuhë që dikur fliste Serbia. Kush mendon se mundet të më gjunjëzojë, le ta provojë!”, ka shkruar Lushtaku.
Përplasja verbale nisi pas deklaratës së Daut Haradinajt nga Aleanca, i cili tha se do të kishte gjakderdhje nëse nuk do të miratoheshin në Kuvend ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale, mbrëmjen e 6 tetorit.
Pas kësaj deklarate, Alban Krasniqi, përfaqësues i Vetëvendosjes në KQZ, publikoi një reagim të ashpër ndaj Haradinajt dhe Lushtakut, duke i akuzuar për veprimtari kriminale dhe korrupsion.
“Dauti e ka me ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë së fituar me haraq dhe krim ordiner. E krimi nuk vjetërohet e as nuk mbulohet nën kauzën e UÇK. Tipat si ky janë modeli i mercenarizmit të pasluftës. Njerëz të paprekshëm që kanë krijuar norma paralele dhe jetojnë në realitet paralel i cili nuk njeh shtet, ligje, institucione, demokraci dhe i mbivendosen atyre me shantazh, dhunë përmes strukturave të tyre kriminale paralele”, kishte shkruar Krasniqi.
Në të njëjtin reagim, duke iu referuar Haradinajt dhe Lushtakut, Krasniqi kishte shkruar se ata do të përballen me drejtësinë për veprat që ai ua atribuoi.
“Pra, dijeni. Kur Dauti, Samiu etj kanë me puthë tokën e Kosovës nga arrestimi për veprat e tyre kriminale dhe korruptive, të kësaj Kosove që mendojnë që vetëm këta e kanë çliru e ne jemi robër të tyre, atëherë këtij vendi ka me i ardh era SHTET që frymon sipas idealeve të dëshmorëve. E unë për një Kosovë të tillë jetoj,veproj, flijohem”, kishte shkruar ai.
Ndërkohë, për deklaratën e Haradinajt kishte reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, i cili kërkoi reagimin e Prokurorisë, duke ngritur pyetjen nëse Haradinaj kishte pasur ndonjë plan për gjakderdhje natën e 6 tetorit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



