Ndalimi i Hashim Thaçit për të marrë pjesë në var*rim shkakton një valë reagimesh në Kosovë

Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur sot në Burojë të Skenderajt në orën 15:00. Haxhi Thaçi ka ndërruar jetë më 16 mars 2025 në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës pas një sëmundjeje të rëndë. Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, kishte arritur të

Ndalimi i Hashim Thaçit për të marrë pjesë në var*rim shkakton një valë reagimesh në Kosovë

Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është mbajtur sot në Burojë të Skenderajt në orën 15:00. Haxhi Thaçi ka ndërruar jetë më 16 mars 2025 në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës pas një sëmundjeje të rëndë.

Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, kishte arritur të merrte leje për ta vizituar babain e tij më 13 mars 2025, kur ai ende ishte gjallë. Sidoqoftë, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e tij për të marrë pjesë në varrim, duke e ndaluar atë të jetë prezent në ceremoninë mortore. Këtë e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe përtej saj. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur ndalimin e Hashim Thaçit si “të paarsyeshëm” dhe ka theksuar nevojën për respektimin e të drejtave themelore të njeriut në proceset gjyqësore.

Ajo ka njoftuar se do t’i drejtohet kryetares së Dhomave të Specializuara për të kërkuar sqarime mbi këtë vendim.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjithashtu ka shprehur shqetësim për situatën dhe ka mbështetur të drejtat e familjarëve të ish-presidentit Thaçi, duke e bërë publik qëndrimin e tij përmes emisarit amerikan, Richard Grenell.

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së: Turp për ata që e financojnë Gjykatën Speciale

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të refuzuar kërkesën e Hashim Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Haradinaj ka cilësuar këtë veprim si të gabuar dhe si një dëshmi që tregon se Gjykata Speciale nuk respekton të drejtat themelore të njeriut.

“Veprimi i kësaj gjykate është veprim i përsëritur, i gabuar dhe që dëshmon kategorikisht që ata nuk respektojnë të drejtat themelore të njeriut ‘’, tha për Front Online Haradinaj.

Ai ka shtuar se është turp që shtetet që financojnë këtë gjykatë po e mbështesin një Institucion që po i paraqet ato në një dritë shumë negative dhe të poshtër.

“Turp edhe për rata që e financojnë këtë gjykatë sepse po i prezanton  në mënyrë shumë të poshtër e të ligë shtetet financuese’’, deklaroi Haradinaj.

Ish-deputeti I PDK-së: Refuzimi i kërkesës së Thaçit për të marrë pjesë në varrim, veprim jo human e jo ligjor

Hajdar Beqa, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është deklaruar për Front Online ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të refuzuar kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.

Ai e ka quajtur këtë vendim një padrejtësi të radhës, duke e cilësuar si të dhimbshëm dhe skandaloz.

“Padrejtësia e radhës nga Gjykata Speciale e dhimbshme dhe skandaloze!’’, tha ish deputeti për Front Online.

Beqa ka theksuar se ky veprim i Gjykatës Speciale është një mohim i një të drejte themelore njerëzore dhe se ka treguar një pandjeshmëri të thellë ndaj vlerave humane.

“Refuzimi i kërkesës së Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës për babain e tij është mohim i një të drejte themelore njerëzore!’’, deklaroi Beqa.

Ai ka shprehur shqetësimin se nuk ka asnjë arsye ligjore që kërkesa e Hashim Thaçit të refuzohej, përveçse për të thelluar dhimbjen dhe për të treguar njëanshmërinë e Gjykatës Speciale.

“Nuk ka asnjë arsye që një kërkesë e tillë të refuzohet, përveçse për të thelluar dhimbjen dhe për të treguar njëanshmërinë e saj’’, përfundoi Beqa.

Hisen Berisha: Gjykata Speciale po i  mbivendoset Institucioneve të Kosovës

Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale për të refuzuar kërkesën e Hashim Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Berisha ka vlerësuar protokollin e sigurisë të kësaj gjykate, duke theksuar se interpretimi i saj nuk e ndryshon situatën dhe se kjo gjykatë po i mbivendoset institucioneve të drejtësisë dhe legjislativit të Kosovës.

Ai ka shtuar se sipas ligjit për Dhomat e Specializuara (DHS), kompetencat për përcaktimin e detyrave dhe përfundimit të mandatit i takojnë Këshillit të Evropës, jo Gjykatës Speciale.

‘’ Vlerësim i protokollit të sigurisë nga i vetë gjykatës, interpretimi i të cilit nuk e ndryshon situatën. Kurse vet gjykata tashmë iu ka mbivendosur institucioneve të drejtësisë dhe legjislativit të Kosovës. Me ligjin për DHS kompetencat për determinimin e punës apo përfundimit të mandatit i ka KE’’, deklaroi Berisha.

Berisha ka theksuar se tani është koha për të mbështetur punën e trupës mbrojtëse, jo vetëm në mënyrë morale, por edhe siç e përcakton ligji për mbështetje ndaj të mbajturve në Hagë dhe familjarëve të tyre.

‘’ Prandaj tani duhet ta mbështesim punën e trupës mbrojtëse jo vetëm moralisht por siç e përcakton ligji për mbështetjen e të mbajturve në Hage dhe familjarëve të tyre’’, tha Berisha.

Arifi: Mos aprovimi I kërkesës së Thaçit skandal, përtej skandalit

Dritëro Arifi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që i ndalon Hashim Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Ai e ka cilësuar këtë vendim si shumë më tepër se një skandal, duke e konsideruar “jo human dhe përtej çdo shpjegimi njerëzor.”

Arifi thotë se ky veprim është një shkelje e rëndë që nuk merr parasysh as tragjeditë njerëzore, përfshirë humbjen e një prindi.

“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Speciale për mos lejimin  e presidentit  Thaçi të marrë pjesë në varrim nuk është skandal është përtej skandalit , është jo human dhe në fund të ditës po tregohet edhe një herë që  kemi të bëjmë me një gjykatë që nuk merr parasysh asgjë, madje as vdekjen e babait kjo shkon përtej çnjerëzores’’, tha Arifi.

Ai ka sugjeruar që presidentja dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të reagojnë ndaj këtij vendimi.

Avokatja Gashi-Bytyqi për refuzimin e kërkesës së Thaçit: Është vendim i trupit gjykues

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për refuzimin e kërkesës së Hashim Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Ajo ka theksuar se ky është një vendim i trupit gjykues që nuk është në përputhje me praktikat e zakonshme në raste të tilla, ku, në Kosovë, pjesëmarrja në varrim është zakonisht e lejuar kur dikush humb jetën

‘’Është vendim i trupit Gjykues lidhur me refuzimin Në rastet e tilla kur ju vdes dikush në Kosovë kryesisht ju lejohet pjesëmarrja ne varrim’’, tha Gashi-Bytyqi për Front Online.