NATO pas ndërrimit të komandës në KFOR: Situata e sigurisë në Kosovë po përmirësohet, BP ka rëndësi strategjike për Aleancën

NATO pas ndërrimit të komandës në KFOR: Situata e sigurisë në Kosovë po përmirësohet, BP ka rëndësi strategjike për Aleancën

NATO përmes një komunikate ka reaguar lidhur me ndërrimin e komandës në KFOR ditën e djeshme, ku gjatë kësaj ceremonie gjeneralmajori Roberto Vergori, nga Italia, mori drejtimin e këtij misioni nga gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.

Nga NATO, në komunikatën për media, thuhet edhe se, situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka vazhduar të përmirësohet.

‘‘Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Komunikata:

NATO riafirmon përkushtimin e saj ndaj KFOR-it dhe stabilitetit rajonal

Më 14 tetor 2026, gjeneralmajori Roberto Vergori, nga Italia, mori drejtimin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës, të mbajtur në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë. Ai pason gjeneralmajorin Özkan Ulutaş, nga Türkiye. Ceremonia u drejtua nga admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Admirali Wikoff vlerësoi udhëheqjen dhe shërbimin e gjeneralmajorit Özkan Ulutaş gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it dhe mirëpriti pasardhësin e tij, gjeneralmajorin Roberto Vergori. Ai përgëzoi gjeneralmajorin Ulutaş për përkushtimin e tij gjatë dy mandateve në krye të KFOR-it, duke vënë në pah angazhimin e tij me komunitetet në mbarë Kosovën dhe punën për forcimin e marrëdhënieve me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). “Ai e bëri këtë me iniciativë, përshtatshmëri dhe përkushtim vetëmohues ndaj misionit dhe ndaj atyre që kishte nën komandë”, tha admirali Wikoff. Admirali gjithashtu vlerësoi sakrificat e personelit të KFOR-it dhe familjeve të tyre.

Duke reflektuar mbi kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë, admirali Wikoff theksoi procesin e vazhdueshëm të optimizimit të misionit, me qëllim maksimizimin e efektivitetit të tij. Ai shprehu besimin në udhëheqjen e gjeneralmajorit Vergori dhe rikonfirmoi mbështetjen e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli. “Roberto, faleminderit që e pranove këtë përgjegjësi”, tha admirali Wikoff.

Gjeneralmajori Ulutaş theksoi: “Gjatë gjithë kohës, KFOR-i mbeti i përqendruar me vendosmëri në ndjekjen e një qëllimi të vetëm: të kontribuojë në sigurinë afatgjatë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të OKB-së. KFOR-i gjithashtu vazhdoi të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” Gjeneralmajori Vergori theksoi se personeli i KFOR-it “mbetet thellësisht i përkushtuar për përmbushjen e mandatit tonë të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën brezat e rinj mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit”.

Situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka vazhduar të përmirësohet. Në qershor, NATO-ja njoftoi se do të optimizojë praninë dhe strukturën e KFOR-it, për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij. Ky proces është në vazhdim. Ai përfshin përshtatjen graduale dhe të kalibruar të strukturës dhe kapaciteteve të KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm. Procesi bazohet në zhvillimet e situatës në terren dhe mund të kthehet prapa nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë.

Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n. Përkushtimi i Aleancës ndaj stabilitetit rajonal mbetet i palëkundur, ndërsa KFOR-i vazhdon të kontribuojë në sigurinë afatgjatë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e kahershëm të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. KFOR-i e kryen misionin e tij në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet përkatëse të tyre si reagues të sigurisë.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.