AUV ngrit nivelin e masave të kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore të Malit të Zi.
AUV-i thotë se ka pranuar informacionet mbi të gjeturat për dërgesën e mishit me origjinë nga Brazili, e cila dyshohet se për destinacion ka pasur tregun e Kosovës, ku si tregtues është identifikuar operatori ekonomik “Apetit”.
“Nga informacionet e deritanishme sipas komunikimeve zyrtare, çështja në Mal të Zi është duke u trajtuar nga Dogana e Malit të Zi, ndërsa AUV është ende ne pritje të informacioneve të plota zyrtare lidhur me rastin” thuhet në njoftim.
Agjencia bën me dije se nga 18 shtatori ka iniciuar kontroll të detajuar.
“Biznesi është duke u mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga data e nisjes se inspektimeve. Informacionet e reja të pranuara sot, do të përfshihen dhe plotësojnë kontrolli e plotë ne vijimësi.
Ekipi inspektues është urdhëruar të përfshijë në kontrolle të gjitha informatat relevante për të siguruar gjurmueshmëri të plotë mbi dërgesat me produkte. Të gjitha dosjet me dokumentacionin e importit dhe origjinës, afatet e përdorimit, sasitë e importuara dhe të shpërndara, si dhe destinacionet e produkteve të vendosura në treg. Kontrolli është plotësuar me marrjen e mostrave dhe analizat përkatëse” thuhet tutje në deklaratën e AUV-it.
Masat shtesë të kontrollit janë vendosur ne dy linjat e kontrollit kufitar mbi çdo ngarkesë ndërsa inspektorati i brendshëm është duke kryer kontrolle mbi të gjitha sasitë ne depo apo të vendosura ne treg. Në kontrollin kufitar jemi duke bashkëpunuar ngusht me autoritete tjera përkatëse qe funksionojnë në kuadër të MIK. Verifikim i plotë para hyrjes së produkteve në tregun e Republikës së Kosovës.
Varësisht nga të gjeturat qe burojnë nga kontrollet, vlerësimit të nivelit të rrezikut të identifikuar, AUV-i pohon se do të ndërmarrë masa ekzekutive duke respektuar procedurat ligjore.
Masa do të ndermirën edhe mbi çdo konstatim të nxjerrë që konfirmon rrezikim të shëndetit publik, i cili ndërlidhet me sigurinë ushqimore.
“Autoriteti pa vonesë do të ndërmerr masat përkatëse, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të secilit produkt qe nuk i përmbush kriteret ligjore të sigurisë ushqimore.
Konsumatorët do të informohen mbi secilën të gjetur të evidentuar gjatë kontrollit dhe masat e ndërmarra. Nëse identifikohet një produkt konkret që paraqet rrezik, AUV do të publikojë informacionin e nevojshëm për identifikimin e tij dhe udhëzimet për konsumatorët.
Secili produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës” përfundon njoftimi.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



