E PABESUESHME! Andre ishte një hap larg Milanit: Gjithçka ishte firmosur, mungonte vetëm presidenti

E PABESUESHME! Andre ishte një hap larg Milanit: Gjithçka ishte firmosur, mungonte vetëm presidenti

Transferimi i André nga Corinthians te Milani ishte shumë pranë realizimit, por një vendim i fundit nga drejtuesit e klubit brazilian bëri që marrëveshja të dështonte. Tashmë, agjenti i futbollistit dhe një prej avokatëve të përfshirë në negociata kanë zbuluar detaje të reja nga prapaskenat e operacionit.

Milani kishte besuar se kishte arritur marrëveshjen për transferimin e mesfushorit të ri brazilian për një shumë prej rreth 17 milionë eurosh, përfshirë bonuset. Dokumentet e marrëveshjes ishin përgatitur dhe, sipas palës së lojtarit, ishin firmosur nga të gjitha palët përkatëse.

Megjithatë, në momentet e fundit Corinthians vendosi të mos e finalizonte shitjen, mes presionit dhe reagimeve të tifozëve, transmeton ORAinfo.

Agjenti: “Ishte vendimi i presidentit”

Agjenti i André, Diogo Silva, ka dhënë detaje të rëndësishme në një intervistë për ESPN.

“Ishte vendimi i presidentit. Në atë kohë, Corinthians dhe André po kalonin një sezon shumë të mirë në Paulistão. André po shënonte gola dhe ishte në formë të shkëlqyer, por presidenti vendosi të mos firmoste kontratat që tashmë ishin nënshkruar”, deklaroi Silva.

Sipas tij, presidenti i klubit brazilian vendosi të mos e vazhdonte shitjen, duke besuar se mbajtja e lojtarit do t’i rriste vlerën në të ardhmen.

“Sot e kuptojmë se ishte një gabim, por në mendjen e presidentit, në atë moment, ishte zgjedhja e duhur. Fatkeqësisht, André nuk u shit.”

Agjenti theksoi se aktualisht nuk ka negociata aktive për largimin e lojtarit dhe se fokusi është te përgatitja për merkaton e ardhshme.

“Që nga ky moment do t’i qasemi gjërave më me qetësi dhe do të përgatitemi për merkaton e ardhshme. Synimi është të biem dakord për një shifër të re me Corinthians dhe më pas të shohim klubet që mund të jenë të interesuara për André.”

“Gjithçka ishte firmosur, mungonte vetëm presidenti”

Një prej detajeve më interesante të zbuluara nga agjenti është se André kishte qenë në kontakt edhe me figura të rëndësishme të Milanit.

“Po flasim për Milanin, për mundësinë që një lojtar brazilian të bashkohej direkt me Milanin pas kaq shumë vitesh. Ai foli me Ibrën dhe Modrićin.”

Silva pretendon se marrëveshja ishte praktikisht e mbyllur.

“Gjithçka ishte firmosur nga të dyja palët: Milani, departamenti ligjor i Corinthians, departamenti im ligjor dhe lojtari. E vetmja gjë që mungonte ishte firma e presidentit, i cili vendosi të mos vazhdonte. Duhet ta respektojmë këtë vendim.”

Agjenti shtoi se kritikat ndaj André pas disa episodeve në fushë ishin të ekzagjeruara dhe se lojtari duhet të vazhdojë të luajë rregullisht për të rritur vlerën e tij.

“Vlera e një lojtari përcaktohet nga tregu, jo nga ajo që mendon ti. Është çështje oferte dhe kërkese.”

Avokati konfirmon: Corinthians u tërhoq në momentin e fundit

Detaje të tjera janë dhënë nga avokati Cristiano Caús, i cili ishte i përfshirë në aspektin ligjor të transferimit.

“Nuk është sekret për askënd. Milani, në teori, e kishte përfunduar këtë negociatë me Corinthians. Oferta ishte pranuar zyrtarisht dhe dokumentet ishin dërguar për t’u firmosur në platformat moderne të nënshkrimit elektronik.”

Por, sipas tij, në momentin e fundit Corinthians ndryshoi qëndrim.

“Në momentin e fundit, Corinthians nuk dëshironte të vazhdonte. Ajo që klubi kishte kërkuar fillimisht dhe që i ishte ofruar Milanit, u shoqërua më pas me një kërkesë shtesë nga Corinthians dhe Milani vendosi të tërhiqej nga marrëveshja.”

Sipas Caús, iniciativa për të ndryshuar kushtet erdhi nga klubi brazilian, i cili besonte se André vlente më shumë.

“Corinthians besonte se lojtari vlente më shumë, pikërisht në momentin kur kontrata ishte praktikisht e firmosur. Klubi preferoi të kërkonte pak më shumë.”

E ardhmja e André mbetet e hapur, ndërsa agjenti i tij ka bërë të qartë se qëllimi është që lojtari të vazhdojë të luajë rregullisht dhe Corinthians të krijojë kushtet për ta shitur në një shumë të konsiderueshme në një merkato të ardhshme. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.